Rrajat “kanë çarë ferrën”/ Kontroll i kotë në shtëpinë e ish-deputetit rozë

schedule13:11 - 19 Korrik, 2023

schedule 13:11 - 19 Korrik, 2023

Për të arrestuar Rexhep Rrajën, djalin e ish deputetit socialist Rrahman Rraja, si dhe tre vëllezërit e tj, Flamur, Xhelal dhe Përparim Rraja, dhe dy të afërm të tyre, policia ka ushtruar kontrolle përgjatë ditëve të fundit në Krujë e në zonat përreth.

Me vendim gjykate, mësohet se kontroll është ushtruar edhe në banesën e ish deputetit Rrahman Rraja, pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit.

Brenda shtëpisë së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, dhe aq më pak 6 personat e shpallur në kërkim.

Burime për ABC News pohojnë se gjithë të kërkuarit, tashmë janë jashtë Shqipërisë.

Për dhunën barbare që pjesëtarë të fisit Rraja ushtruan ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, përveç 6 të kërkuarve u arrestuan edhe 4 persona.
Shkak i dhunës, ku Flamur Rraja kërcënoi edhe me armë, u bënë denoncimet e banorëve të Borizanës dhe të kushërinjve Maja se shpërthimet në guroren e Përparim Rrajës po u shkatërronte atyre banesat.

Kjo ngjarje pasoi me mbylljen e gurores në Borizanë, ndërsa kryeministri Edi Rama shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçin dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën.

Pak ditë më parë, policia njoftoi zyrtarisht se tre drejtuesit kryesorë të Komisariatit Krujë u liruan nga detyra dhe 26 oficerë të tjerë u transferuan. Postin e shefit të komisariatit e mori Kreshnik Alimadhi. Në fakt, emërimi i zotit Alimadhi mban datën 27 qershor. Publikimi i emërimit të tij u bë pas incidentit, por ndoshta mund të jetë një teknikalitet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!