Rovena Gashi para KPA-së

schedule11:28 - 4 Prill, 2019

schedule 11:28 - 4 Prill, 2019

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk pranoi motrën e prokurores Rovena Gashi si ndihmësen e saj ligjore në procesin që ka nisur për të në shkallën e dytë të Vettingut. Ish-prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi, ka ankimuar vendimin e KPK-së për shkarkimin e saj dhe kërkon rikthimin në detyrë.

Në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, trupa gjykuese i hoqi subjektit të rivleresimit Rovena Gashi të drejtën për të pasur ndihmëse ligjore motrën e saj Ema Gashi. Pas një tërheqje për vendimmarrje lidhur me kërkesën e paraqitur nga Ema Gashi, kryesuesja e trupës së Kolegjit, Albana Shtylla, deklaroi se subjekti Rovena Gashi duhet të përfaqësohet në ketë proces nga një avokate dhe jo nga nj ndihmëse ligjore.

Trupa gjykuese nuk i dha fjalën kërkueses Ema Gashi, e cila pas përfundimit të seancës, në një deklaratë para mediave e cilësoi vendimin e Kolegjit një shkelje të paprecedente ligjore.

“Më vjen shumë keq ta them që KPA që është mundësia e vetme brenda juridiksionit kombëtar që të shqyrtojë ankimet e subjekteve të rivlerësimit e filloi punën e vet sot, ndaj subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi me një shkelje të paprecedentë procedurale. Të drejtën e ndihmësit  ia hoqi sot publikisht përpara mediave. Pas vendimit të ndërmjetëm të KPA-së, unë që jam Ema Gashi, motra e subjektit të rivlerësimit Ema Gashi nuk mund të legjitimohem në cilësinë e ndihmëse së saj në këtë procedurë. Argumenti i KPA-së ishte: “Në rastin e shqyrtimit në Kolegjin e Apelimit të ankimeve të subjekteve të rivlerësimit nuk gjen zbatim neni 39 i Kodit të Procedurave Administrative në lidhje me ndihmësin”. KPA u tërhoq për të marrë këtë vendim pa na kërkuar ne mendimin dhe qëndrimin tonë paraprak në lidhje me këtë çështje, në qoftë se kjo çcështje do bënte problem. Ne nuk e dinim deri tani si në aspekt të ligjit, si në aspekt të qëndrimit të KPA-së që kjo do të përbënte problem”, tha Ema Gashi.

Në nisje të seancës, Ema Gashi i kujtoi trupës gjykuese se Rovena Gashi është njoftuar se vëzhgues ndërkombëtar do të ishte Mia Rosing dhe se zëvëndësimi i saj me Theo Jacobs nuk është i arsyetuar. Për këtë, Jacobs replikoi duke thënë se ai përfaqëson Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe ishte aty për të ndjekur ecurinë e procesit. Seanca e radhës për Rovena Gashin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit do të mbahet në datën 23 Prill.

Rovena Gashi ka ankimuar vendimin e KPK për shkarkimin e saj dhe kërkon rikthimin në detyrë si prokurore. Në Maj të 2018-s, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj Rovena Gashit dhe bashkëshortit Dritan Gina.

Ata u hetuan për pasurinë e tyre dhe kjo solli dhe shkarkimin e tyre nga detyra. Ndërsa në Korrik po të atij viti, Gashi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me argumentet se nuk mundi të justifikojë pasurinë dhe se kishte bërë deklarime të pavërteta dhe të pasakta./abcnews.al