Rotacion ndaj skuadrës së Lecce, Inzaghi lë jashtë Sommer për sfidën e së dielës

schedule18:36 - 24 Shkurt, 2024

schedule 18:36 - 24 Shkurt, 2024

Interi do të kërkojë fitoren e 10 në po kaq ndeshje në vitin 2024, teksa ndalesa e radhës për zikaltrit do të jetë Lecce në stadiumin “Via Del Mare”. Trajneri Simone Inzaghi ka përgatitur “turn over”-in e tij për këtë takim, pasi pritet të lërë pushim një pjesë të madhe prej të paktën 6-7 titullarëve që luajtën ndaj Romës e ndaj Atleticos në dy ndeshjet paraardhëse.

Kështu Yann Sommer nuk është stërvitur me skuadrën për shkak të një gjendjeje gripale dhe nuk do të udhëtojë fare drejt Lecces, aty ku do të debutojë si titullar në kampionat Emil Audero, portieri i dytë i zikaltërve, i cili ka luajtur vetëm dy takime deri tani.

Në mbrojtje pritet të ulen në stol Pavard e Bastoni, të cilët do t’u lënë vendin gjermanit Bisecck dhe brazilianit Carlos Augusto, ndërsa edhe mesfusha pritet të ndryshojë thuajse totalisht. Mediat italiane raportojnë se Inzaghi pritet të hedhë nga minuta e parë Dumfries, Frattesi, Asllani, Klassen dhe njërin mes Dimarco e Buchanan.

Në sulm do të niset sërish nga minuta e parë kapiteni Lautaro, teksa mbetet të shihet se kush do të luajë në krah të tij, me Arnautovic që është favorit ndaj Alexis Sanchez.

Qëllimi i Inzaghit është të marrë tri pikët ndaj Lecces, por në të njëjtën kohë t’u japë pak frymëmarrje edhe titullarëve, të cilët të mërkurën i pret një tjetër mision i vështirë, ai ndaj Atalanta në “San Siro”, në ndeshjen e prapambetur, që mund të thellojë edhe më shumë distancën nga vendi i dytë. /i.m /abcnews.al