Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ndodhet në Peqin ku ka bërë dhe mbylljen e fushatës për zgjedhjet e 14 majit.
Rama nga Peqini ka bërë thirrje qytetarëve që të për çuar para projektet e mbetura duhet që të votojnë Partinë Socialiste dhe kandidatët e tyre.
Kryesocialisti është shprehur se kandidati i Peqinit, Roshi është një produkt bio i qytetit, ku ka lindur, jetuar dhe punuar njëkohësisht.
“Qytetarët e këtij vendi pa dallim nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të votojnë PS-në dhe kandidatë tanë. Nuk besoj se është nevoja që të them shumë fjalë për Roshin, pasi ju e njihni dhe është një prodhim bio i Peqinit ka lindur dhe është rritur këtu dhe ka punuar këtu”, ka thënë ai.
Ndër të tjera kreu i qeverisë është shprehur se Roshi e ka treguar se di të punojë dhe ti çojë deri në fund projektet e tij.
“Roshi ka pasur edhe drejtimin e një institucioni të rëndësishëm dhe delikat, në sektorin e energjisë ku dhe pse ne kemi bërë një reformë shumë të rëndësishme dhe ja ka dalë që të bëjë atë që duhet. Zgjedhja e 14 majit shkon përtej thjesht kandidatëve pasi është një zgjedhje që lidhet me marrëdhënien pushtet vendor dhe qendror që pa të asnjë njësi nuk mund të shkojë para ashtu siç dëshiron. Në të gjithë rrugëtimin tonë ne e kemi parë sesa e vështirë bëhet për bashkitë dhe komunitete kur drejtimi i tyre është në duart e atyre që në të gjithë historinë e pluralizmit shqiptar asnjëherë dhe askund kur u është dhënë besimi i njerëzve nuk kanë bërë asnjë ndryshim që të na tregojnë sa mirë është bërë në asnjë bashki.
Komuniteti nuk ka parë hajrin dhe shembulli më tipik është Shkodra që në vitin 1992 dhe deri më tani që flasim drejtohet prej tyre, me pasuri t dhuruara nga zoti pa asnjë hesap dhe është bashkia më e prapambetur dhe më e papastër e Shqipërisë.
Kemi bërë shumë por ka akoma shumë për të bërë, ndaj peqinasit duhet që ta bëjnë atë me atë që duhet bërë dhe të na japin mundësinë që të çojmë para projektet. Ne ju kemi sjellë Bukuroshin, jo si person bukurosh por si njeri punëtor dhe do i japim të gjithë mbështetjen për projektet e tij”, ka thënë Rama./abcnews.al