Mbrojtësi i Tottenham, Danny Rose, ka pranuar publikisht ekzistimin e racizmit në Britaninë e Madhe. Anglezi ka deklaruar se ai është vënë vetë në situata jo të këndshme, ku ka patur racizëm edhe nga policia drejt tij. Gjithashtu Rose nuk është i kënaqur fare me transportin publik, pasi aty njerëzit me ngjyrë vihen në lojë për shkak të ngjyrës së tyre.
“Nuk ndodh vetëm në futboll. Javën e kaluar më ndaloi policia, kur isha duke shkuar për në Doncaster. Atje është dhe vendlindja im, por policia kishte një akuzë speciale për mua. E kujt është kjo makinë? Ata kërkonin prova se si unë e kisha blerë makinën time si dhe çfarë po kërkoja unë në atë zonë,” deklaron anësori i “Spursave” për “Sky Sports”.
“Kjo më ka ndodhur që kur unë isha 18-vjeç, pikërisht vitin e parë që unë mora lejen e drejtimit. Madje sa herë që policia më ndalon, unë vetëm qesh se e di shumë mirë se çfarë më pret. Racizëm ka çdo ditë. Mua personalisht më ka ndodhur dhe në tren, ku unë kam patur çantë me vete. ‘A e di se ky këtu është klasi i parë?‘, më pyesin shpesh njerëzit, por unë tashmë jam mësuar dhe vetëm i tregoj biletën”, përfundon Rose. /abcnews.al