Ronaldo shënon, por rrezikon burgun në Amerikë

schedule17:03 - 7 Tetor, 2018

schedule 17:03 - 7 Tetor, 2018

Cristiano Ronaldo vërtet shënoi për Juventusin në Serinë A, veçse pozicioni i tij është tepër i rrezikuar për shkak të akuzave për përdhunim që vijnë nga Amerika.

Një gol për të larguar të keqen.

Cristiano Ronaldo do të kishte dashur shumë të kishte qenë kështu, veçse rrjeta në portën e Udinezes, thjesht e ndihmoi për lavdinë sportive dhe po ashtu i dha një dorë Juves për të arritur fitoren e tetë radhazi në Serinë A.

Portugezi nuk mund të shpëtojë dot lehtë nga akuzat e rënda për përdhunim që vijnë nga Amerika, pavarësisht nëse ai është apo jo me të vërtetë fajtor. Goditja ka qenë e rëndë për një nga dy superyjet e futbollit edhe pse flitet për një ngjarje të mundshme të para 9 viteve.

Ketrin Majorga, një ish-modele dhe sot mësuese, e akuzon Kristianon për përdhunim, diçka për të cilën ai rrezikon burgun, nëse gjykata e shpall fajtor. Avokati i Majorgës, Lesli Stovël, ka deklaruar se është kontaktuar nga një tjetër femër që deklaron se është përdhunuar nga futbollisti, pra skandali mund të zgjerohet edhe më shumë.

Një rrethanë lehtësuese për CR7-n sigurohet nga deklaratat e shoferit të taksisë me të cilën Majorga udhëtoi për në takimin me Ronaldon. Vins Hamfri shprehet se Katrina dukej e lumtur për mbrëmjen që do të kalonte me lojtarin, dhe mburrej me trupin e saj të shkëlqyer.

Me shumë gjasë, portugezi do të pyetet nga policia amerikane për ngjarjen, ndërsa ai ka pajtuar një avokat tepër të njohur, Dejvid Çesnof, një njeri që ka mbrojtur në gjyq emra të mëdhenj të sportit apo të artit si Shakill O’Nill, Andre Agasi, Majk Tajson, Leonardo Di Kaprio apo Paris Hilton.

Skandali i supozuar i Ronaldos ka goditur edhe Juventusin. Aksionet e klubit në bursë ranë me 18 për qind brenda ditëve të fundit, ndonëse ndikimi i portugezit mbetet pozitiv, sepse i rriti aksionet me 180 për qind kur mbërriti në Torino.

Edhe Ronaldo mund të ketë pasoja financiare dhe të imazhit, pasi sponsorët e tij si Nike apo EA Sports janë shprehur tepër të shqetësuar për këtë që po ndodh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!