Ronaldo nuk shënoi në ndeshjen e tij të parë me Juventusin në Serinë A

schedule22:32 - 18 Gusht, 2018

schedule 22:32 - 18 Gusht, 2018

Kristiano Ronaldo nuk e bëri dot debutimin që ëndërronte në Serinë A. Ylli portugez u përpoq shumë, por nuk doli nga fusha i lumtur, edhe pse Juventusi fitoi.

Pritej shkëlqimi i tij , por heroi i Juves ishte Bernardeski.

Debutimi i Topit të Artë, Kristiano Ronaldo, ishte me fitore, por ata që prisnin shkëlqimin e tij që në start, mund të quhen të zhgënjyer.

Nuk ishte CR7-ta heroi i madh i Juventusit në suksesin tepër të vështirë në fushën e Kievos.

Kampionët e Italisë triumfuan 3-2, pasi u ndodhën në humbje 1-2, dhe dy golat vendimtarë kishin vulën e Federiko Bernardeskit.

Ronaldo, jo vetëm që nuk arriti të shënonte, por i prishi punë ekipit kur ndeshja ishte në 2-2, duke prekur me dorë një top dhe duke e bërë të pavlefshëm golin e shënuar nga Mario Manxhukiç.

Vendimi i arbitrit u mor pas përdorimit të VAR-it.

Formacioni i trajnerit Masimiliano Alegri kaloi në epërsi me golin e Kedirës, por pastaj polaku Stepinski barazoi rezultatin për Kievon.

Në pjesën e dytë Xhakerini kaloi veronezët në epërsi me penallti, dhe u duk se debutimi i Ronaldos në Serinë A do të ishte i hidhur.

Mendoi Bernardeski për ta bërë të lumtur, edhe pse goli i tij i parë jepet më shumë si autogol i Banit.

Gjithsesi, ish-ylli i Fiorentinës vendosi fatin e fitores në minutën e tretë shtesë.

Juventusi e nisi Serinë A, ashtu siç e mbylli sezonin e kaluar dhe shpreson të fitojë titullin e 8-të radhazi.

Ëndrra më e madhe, gjithsesi, mbetet fitorja e Championsit. /abcnews.al