Ronaldo e Mesi dalin barazim në duelin e kësaj jave

schedule15:36 - 24 Shtator, 2018

schedule 15:36 - 24 Shtator, 2018

Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi ishin protagonistë edhe këtë fundjavë në futbollin europian. Ata shënuan nga një gol, por skuadrat e tyre patën fat të ndryshëm.

Dueli në distancë vazhdon. Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi nuk mund të jenë rivalë vetëm në Ligën spanjolle, por edhe kur luajnë në kampionate të ndryshëm, ndërsa këtë javë konkurrimi u mbyll në barazim. Portugezi dhe argjentinasi shënuan nga një gol, përkatësisht në Serinë A dhe në La Liga, ndonëse ekipet e tyre patën fate të ndryshëm. Juventusi vuajti shumë në fushën e Frozinones, duke rrezikuar fitoren, që jepej si e sigurt përpara ndeshjes.

U desh goli i Ronaldos në minutën e 81-të që të kalohej në avantazh, ndërsa ylli me numrin 7 kishte humbur raste të tjera gjatë sfidës. Pas epërsisë, kampionia e Italisë e pati më të lehtë, me vendasit që sulmuan në kërkim të barazimit. Në minutën e fundit shtesë, të pestën, Ronaldo nisi një kundërsulm që u vazhdua nga Dibala dhe u përfundua nga Bernardeski, për 2-0. Edhe Mesi e shënoi golin e tij këtë javë. Superylli me numrin 10 kaloi Barcelonën në epërsi në “Kamp Nou”, në derbin e vogël katalanas ndaj Gironës.

Për fatin e tij të keq, sfida mori për ters. Mbrojtësi Lengle doli shpejt me karton të kuq, dhe Barça luajti me 10 lojtarë për mbi 60 minuta. Ky inferioritet, plus rotacioni në ekip nga trajneri Valverde, I prishën punë vendasve. Girona luajti mrekullisht dhe uruguajani Stuani shënoi dy herë, duke e kaluar në avantazh. U desh të shënonte mbrojtësi Pike, që Barcelona të merrte të paktën barazimin, në ndalesën e parë në këtë kampionat. Tifozët janë të shqetësuar se lojtarët e stolit nuk janë në një nivel me titullarët, ndërsa katalanasit tani janë në të njëjtën kuotë pikësh me Realin, në krye të kampionatit spanjoll./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!