Çfarë shkoi keq për Ronaldinhon? Plot 2.5 milion dollarë gjoba në vitet e fundit, një numër i madh i rregullave të thyera dhe së fundmi, burgim në Paraguai, duke tentuar të futet klandestin me pasaportë të rreme.
Kur luante futboll, ishte e paimagjinueshme të mendonim që jeta e Ronaldinhos do të arrinte në këtë pikë. Botës së futbollit i dhuroi shumë, duke qenë një ndër lojtarët më të dashur dhe më të mirë në histori.
Gjithmonë luante me buzëqeshje në fytyrë dhe me “samban” e tij në fushë, turpëronte çdo kundërshtar. Një futbollist aq i magjishëm, sa fitoi dhe duartrokitjet e tifozëve të Real Madrid në Bernabeu, kur i shkatërroi “Los Blancosit” me fanellën e Barcelonës.
Me numri 10 në shpinë dhe me bishtalecin e tij unik, Ronaldinho ishte i pandalshëm. I fitoi të gjithë trofetë e mundshëm në karrierën e tij, si me klubet, ashtu dhe me kombëtaren e Brazilit. Por ai numër 10, do të ndryshonte, duke u bërë 194.
Ky ishte numri i Ronaldinhos në burgun e Paraguait, një numër që fenomeni brazilian duhet të përpiqet që ta harrojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne, thjesht si admirues të tij, urojmë që Roni të mos përfshihet asnjëherë më në probleme të tilla dhe të jetë sa më pranë botës së futbollit./abcnews.al