Romela Begaj pozitive në botërorin e peshëngritjes

schedule15:16 - 16 Janar, 2018

schedule 15:16 - 16 Janar, 2018

Romela Begaj rrezikon të humbasë titullin botëror dhe të marrë një dënim të rëndë. Peshëngritësja shqiptare ka dalë pozitive për doping, por Federata shpreson që ajo të dalë e pastër pas analizës B.

Fiks tri vjet më parë ishte kështu.
Romela Begaj fitonte medaljen e artë në stilin e shkëputjes në Botërorin e peshëngritjes në Kazakistan, në dhjetor 2014, por pak javë më vonë, gjithçka u shkatërrua.
Peshëngritësja femër më e mirë e Shqipërisë, doli pozitive për përdorim doping dhe ndëshkimi nuk vonoi.
Në dhjetor të 2017-s, Begaj tashmë 31-vjeçare, u shpall sërish kampione e botës në stilin e shkëputjes, dhe doli e dyta në dygarësh, por sërish doli pozitive për përdorim dopingu.
Ndryshimi i vetëm, deri tani, është që është bërë vetëm analiza A, pra ekziston shpresa që shtangistja të dalë e pastër pas analizës B.

Ky është edhe qendrimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë koment për këtë rast, derisa të dalë rezultati i mostrës B.
Gjithsesi, rreziku është i madh, pasi tepër rrallë ndodh që përfundimi i analizës A të jetë i gabuar.
Romela u dënua me 2 vjet pezullim pasi doli pozitive në Kazakistan në kontrollin antidoping, ndërsa këtë herë ndëshkimi do të ishte të paktën dyfish më i rëndë, nëse konfirmohet pozitiviteti.
Praktikisht, një dënim i tillë mund ta mbyllte karrierën e peshëngritëses që është 31 vjeç.

Pavarësisht nga dënimi i parë dhe rreziku për të dytin, Begaj ka shkëlqyer për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke fituar një medalje argjendi botërore, tri medalje argjendi e dy bronzi europiane, medalje ari dhe bronzi në Lojërat Mesdhetare, si dhe ka dalë e gjashta në Lojërat Olimpike Pekin 2008, rezultati më i mirë i sportit shqiptar në Olimpiada./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!