Me përfundimin e gjysmë-finaleve të Champions, mbrëmjen e sotme, ku do të zhvillohet sfida Manchester City-Real Madrid, mbrëmjen e nesërme do të zhvillohen dhe gjysmë-finalet e UEFA Europa League dhe Conference League, ku padyshim sfidat kryesore do të jenë Sevilla-Juventus e Bayer Leverkusen-Roma.
Përsa i përket sfidës së dytë, tekniku i “aspirinave” të Leverkusen, Xabi Alonso ishte i pranishëm ditën e sotme në një konferencë për shtyp nga ku foli fillimisht për ecurinë e klubit që nga tetori, ku spanjolli mori në dorë “frerët” e ekipit.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që nga tetori, ne jemi përpjekur të kemi një ndikim pozitiv në nivelin psikologjik dhe jemi përpjekur të ndryshojmë diçka psikologjikisht”,- u shpreh Alonso.
Më tej, trajneri i Leverkusen foli dhe për rëndësinë që ndeshjet të këtij niveli kanë për një klub si “aspirinat” gjermane, teksa shtoi se shpreson për një natë “magjike” në “BayArena”, mbrëmjen e nesërme, ku pse jo mund të arrijnë dhe kualifikimin.
“Për një skuadër që nuk është mësuar të ketë ecuri si këto, është një mundësi e artë. Ne jemi profesionistë dhe jemi përpjekur të përgatitemi sa më shumë. Na pret një ndeshje intensive kundër Roma-s, por ne duam të shijojmë gjithçka që në fillim me tifozët tanë, shpresojmë të përjetojmë një natë historike në BayArena”,- u shpreh “numri 1” i pankinës së Leverkusen.
Në përfundim të konferencës, Alonso tregoi se çfarë duhet të bëjnë ndryshe djemtë e tij nga ndeshja e javës së kaluar, si dhe foli për emocionet që ndjeu kur u përball me ish-trajnerin e tij, Jose Mourinho në ndeshjen e së enjtes së kaluar.
“Ne duhet të shënojmë, ky është ndryshimi! Ata kanë një avantazh të vogël falë ndeshjes së parë, pas një ndeshjeje intensive, por ne duam të luftojmë për të shijuar një finale.
Patjetër që është një kthesë e fatit. Unë e dua Mourinhon dhe kam mësuar shumë prej tij, duke e parë do të jetë e veçantë, por kur të fillojë gara nuk ka miq”,- u shpreh në përfundim të konferencës, tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al