Roma dhe Liverpool, kush do të jetë finalist i Champions?

schedule14:56 - 2 Maj, 2018

schedule 14:56 - 2 Maj, 2018

Roma dhe Liverpool-i do të luajnë sot ndeshjen që do të përcaktojë finalistin e dytë të Ligës së Kampionëve. Anglezët fituan thellësisht përballjen e parë, por italianët kanë treguar se mund të realizojnë mrekulli.

Prezantimi është si një vepër arti. Liverpool dhe Roma janë përballë në Champions, por janë edhe dy qytete të lavdishëm, secili sipas historisë së tij.

Nga lashtësia romake, me Ulkonjën e bijtë e saj, Jul Çezarin, Koloseumin e kishat e dëgjuara, te kodrat e famshme dhe kuzhina italiane.

Liverpool-i e ka përgjigjen më të vonshme arkitekturën viktoriane apo eduardiane, Bitëllsat dhe yjet e futbollit.

Anglezët mbërritën të qeshur në kryeqytetin e Italisë.

Heroi kryesor i tyre, Mohamed Salah, pati për tifoz personal edhe një nga oficerët e policisë që kishin ardhur për ta ruajtur në aeroportin “Fiumiçino”.

Bashkë me skuadrën, sosën në Romë, qindra e mijëra tifozë liverpulas, me kënaqësinë e turistit të përzier me emocionet e ndeshjes që do të luhet sonte në mbrëmje.

Shpresa është e madhe që gjithçka të kalojë qetë, pa përleshje dhe dëme njerëzore, ndaj edhe policia italiane ka kaluar në shërbim të përforcuar.

Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp, kreu stërvitjen e fundit në stadiumin “Olimpiko”, me besim në forcat e veta dhe disi e qetë pas fitores 5-2 në takimin e parë gjysmëfinal.

Parashikimet, më së shumti, janë që në finalen e Kievit përballë Realit, do të jetë Liverpool-i, por Klopp, edhe pse ndihet i sigurt, nuk nxitohet.

Jurgen Klopp: “Nuk mund të them se përmbysja nga ana e Romës nuk është e mundur. Unë mund të them vetëm që ne nuk jemi as Chelsea dhe as Barcelona, dhe këtë e them jo për të ulur vlerën e këtyre ekipeve. Ne nuk duhet të jemi si ata, në mënyrë që të kualifikohemi. Ne duhet të jemi gati dhe unë jam i bindur se do të jemi gati. Nëse Roma fiton 3-0 apo më thellë, atëherë do t’i shtrëngojmë dorën dhe t’i urojmë për finalen. Ky është sporti. Nuk mund të them se e kemi kualifikimin të sigurt, por as nuk mund të them se jemi në situatë të keqe”.

Roma natyrisht nuk do të hyjë në fushë për të bërë një formalitet. Sukseset e kaluara ndaj Chelsea, Atletikos së Madridit, por sidomos ndaj Barcelonës, e kanë bërë të besojë se mund të realizojë çdo mrekulli.

Italianët u stërvitën në kompleksin “Trigoria”, duke mos harruar të respektojnë tifozin liverpulas, Shon Koks, të plagosur nga disa huliganë romanë përpara ndeshjes së parë në Angli.

Përtej respektit, trajneri Di Françesko kërkon suksesin.

Eusebio Di Françesko: “Kemi përballë një skuadër krejt të ndryshme në aspektin taktik dhe në mentalitet, më pak e dashuruar me zotërimin e topit, por shumë e aftë për të goditur me shpejtësi. Gjithsesi, për ne nuk ndryshon asgjë, sepse duam që të realizojmë një tjetër përmbysje si ndaj Barcelonës. Për t’ia dalë duhet të vendosim zemrën në fushë, dhe të luftojmë shumë më fort fizikisht dhe atletikisht. Na duhet një gol i shpejtë, për të ndezur edhe publikun tonë”.

Liverpool-i ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka luajtur në stadiumin “Olimpiko” ndaj Romës, ndaj edhe skuadra italiane shpreson që kjo traditë të ndryshojë sonte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!