Pas zbërthimit të grupit të Ergys Dashit në Itali dhe në shtete të tjera të Europës, policia italiane dërgoi dosjen në Shqipëri duke kërkuar arrestimin edhe këtu të anëtarëve të organizatës kriminale.
Pjesë e listës ishte edhe 26-vjeçari Stivi Filolli, i cili u arrestua nga policia në kuadër të operacionit “Grand Tour”. I riu ishte në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Lexoni KËTU gjithçka mbi vrasjen e Ergys Dashit
Sipas Policisë së Shtetit, ky operacion është finalizimi i një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal, me aktivitet në disa shtete të ndryshme.
Filolli akuzohet se ishte pjesë e grupit të Ergys Dashit me bazë në Itali, i cili sillte kokainë nga Amerika Latinë në Europë përmes Holandës dhe më pas e shpërndanin në shtete të ndryshme me sasi më të vogla.
Roli
Prokuroria italiane ka zbuluar edhe rolin e Stivi Filollit në grupin e Ergys Dashit. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga ABC, Filolli sipas prokurorisë italiane ishte korrier dhe asistent io Ergys Dashit gjatë operacioneve që ky i fundit kryente në Itali dhe në Amerikën Latine.
Filolli sipas prokurorisë ishte personi që çonte dërgesat e Dashit te klientët me shumicë të kokaiës.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit, pjesëmarrëse në një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Grand Tour” u kap në Tiranë një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Kapja e personit u bë falë bashkëpunimit të FAST Albania me strukturat e DVP Tiranë.
Operacioni policor i koduar “Grand Tour” u zhvillua në disa shtete, në kuadër një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal.
Në Shqipëri u angazhuan FAST Albania dhe strukturat e DVP Tiranë.
Në rrugën “Haxhi Dalliu”, Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit S. F., 26 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Ky operacion është finalizimi i një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal, me aktivitet në disa shtete të ndryshme.
Hetimet janë koordinuar nga zyra e Prokurorit Publik të Drejtorisë Antimafia, autoritetet sllovene dhe EUROJUST.
Edhe në këtë operacion, Policia e Shtetit tregoi besueshmëri dhe profesionalizëm, duke u radhitur si e barabartë me policitë homologe që ishin pjesë e operacionit.
/abcnews.al