Rreth 40 mijë qytetarë apo biznese që po prisnin nisjen e procesit të rivlerësimit që prej të premtes mund të nisin proçedurat për realizimin e tij.
Drejtori i Agjensisë së Kadastrës Shqiptare Artan Lame deklaroi se në proces rivlerësimi do të përfshihen edhe banesat që janë në fazë hipotekimi .Ndërkohë qytetarët do të kenë mundësi që të aplikojnë on-line, ti drejtohen sporteleve të Kadastrës ose nëpërmjet noterëve.
“Do të aplikohet online duke shkurtuar burokracinë për qytetarët. Gjuthashtu do të aplikohet edhe për pasuritë e regjistruara në hipotekë, edhe objektet e legalizuara përfshihen në procesin e rivlerësimit”, tha Lame.
Qytetarët që duan të shesin një banesë dhe bëjnë rivlerësimin do të paguajnë vetëm 3% tatim-fitim shtetit nga 15% që është aktualisht ndërsa për bizneset është parashikuar 5 %.
“Nëpërmjet këtij procesi synohet që qytetarët të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre në vlerën e tregut”, tha më tej Lame.
Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë Agjensisë Shqiptare të Kadastrës është 1200 lekë. Rivlerësimi i pasurive në Shqipëri realizohet për herë të katërt dhe synon që të mbledh rreth 4 mld lekë për buxhetin e shtetit. Kjo nismë do të zgjasë deri në fund të muajit shtator./abcnews.al