Rivitalizimi i hapësirave publike përmes artit, Rama: Besimtar i së bukurës, projekti do ketë impakt në jetën sociale dhe ekonomike

schedule11:45 - 24 Qershor, 2022

schedule 11:45 - 24 Qershor, 2022

Është hapur konkursi për nismën më të re të qeverisë shqiptare për realizimin e veprave të artit në hapësira publike. Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se dëshiron që kjo nismë të jetë e përvitshme dhe afatgjatë.

Janë 18 hapësira që projekti përfshin dhe Rama shpjegoi se do të ketë tre projekte fituese nga artistë ose grupe artistësh, të cilët pas fitimit të këtij fondi të përcaktuar do t’i japin një dorë rivitalizimit të jetës në komunitet.

Rama: Është e qartë se cila është ideja, natyrisht që ka nevojë për më shumë informacion. Qëllimi është që të ndërhyjmë në hapësirat publike duke krijuar një impakt. Objektivi apo ambicia është që ky të jetë një program i përvitshëm i qeverisë. Të shtrihet jo vetëm në hapësirat publike siç janë në këtë rast, kryesisht të infrastrukturës rrugore, por edhe në hapësirat e jashtme dhe të brendshme të institucioneve. Është një program që do kërkojë edhe testin e eksperiencës për të parë se si do ecë, çfarë mund të përmirësohet etj,. Natyrisht që për t’i garantuar qëndrueshmëri do jetë mirë që t’i japim formë një strukture të posaçme. Unë kam shumë besim që me përfshirjen e artistëve që kanë talentin e duhur, impakti në hapësirën publike dhe në gjithë ato pika që rrihen nga shumë sy dhe janë në mes të njerëzve do të jetë i rëndësishëm.

Kryeministri theksoi se kjo do të stimulojë energji pozitive në territor.

Rama: Duke qenë vetë besimtar i së bukurës, nuk kam se si të dyshoj edhe në faktin që ky lloj impakti ka pak nga pak, me krijimin e një mase kritike edhe efektin e duhur social dhe ekonomik.

Në përfundim kryeministri siguroi të pranishmit se programi nuk është një shkrepje e vetme, por vetëm fillimi i një procesi që dëshiron të jetë afatgjatë dhe i përvitshëm./Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!