Rivalitet i fortë mes opozitës, çfarë ndodh në orën 19:00?

schedule17:08 - 25 Korrik, 2022

schedule 17:08 - 25 Korrik, 2022

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka humbur kohë, pasi një ditë pas heqjes së “kostumit” të kreut të shtetit, ka paralajmëruar një luftë të fortë politike përballë mazhorancës aktuale.

Në një dalje publike gjatë ditës së hënë ai ka theksuar se tani nis lufta për drejtësinë e vërtetë, duke paralajmëruar se do të kërkojë referendum, madje duke krijuar edhe idenë se përveç LSI-së ai mund të ngrejë një tjetër fraksion politik.

Siç edhe ishte paralajmëruar sot në orën 19:00 Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë Konventën Kombëtare, ku pritet riorganizimi i kësaj force politike, por edhe ndryshime në kryesi.

Konventa e thirrur nga LSI nuk mund të jetë një rastësi, pasi ajo mblidhet pikërisht një ditë pasi Meta la përfundimisht presidencën, ku siç ka deklaruar shpesh do të rikthehet fuqishëm në politikë.

Gjatë gjithë kësaj vere me temperatura të larta, zërat nga brenda dhe jashtë selive të partive politike kanë zierë për një bashkëpunim të fortë opozitar mes PD dhe LSI, pasi drejtimi i dy forcave politike shumë shpejt veçse defacto (Berisha është tashmë kryetar i PD) edhe de juro do të merret nga dyshja Berisha-Meta, dikur bashkëpunëtorë të ngushtë me njëri-tjetrin, i pari kryeministër dhe i dyti numri dy i qeverisë.

Por loja politike dhe bashkëpunimi mes dy forcave politike ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi në të njëjtën orë që LSI do të zhvillojë Konventën Kombëtare, e cila pritet me interes të madh publik, për të parë se çfarë do të ndodhë me kryesinë e kësaj force politike, kryetari i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar një takim me demokratët e Fierit për të diskutuar për Reformën territoriale.

Pyetjet që mund të ngrihen në këtë moment janë: A është kjo një strategji e Metës dhe Berishës për të luftuar Ramën në dy fronte të ndryshme?

Apo mes Berishës dhe Metës tashmë ka nisur një rivalitet politik se kush do të jetë numri një i opozitës në shtator?

/Taulant Halili/ Abcnews.al/