“Rithemelimi” kërkon shkarkimin e gjyqtares Muça, Kaso: Lëvizje e paralajmëruar, kreu shkelje të rënda gjyqësore

schedule19:35 - 10 Maj, 2022

schedule 19:35 - 10 Maj, 2022

Komisioni i Rithemelimit i ka dërguar ditën e martë një ankesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me anë të të cilës kërkon shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça.

Kjo e fundit më 22 prill pranoi të shqyrtojë në apel ankimimin e Enkelejd Alibeajt, për vendimin e marrë në 25 mars nga ana e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit të vitit të shkuar.

Lexo edhe: Fati i PD në duart e saj, Rithemelimi nis “aksionin” ndaj gjyqtares

Ky hap i ndërmarrë nga “Rithemelimi”, sipas përfaqësuesit ligjor Ivi Kaso ishte i paralajmëruar. Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, Kaso tha se Muça ka kryer shkelje të rënda gjyqësore dhe për këtë duhet të skanohet edhe nga vettingu.

I pyetur se çfarë kanë paraqitur pranë KPK kundër gjyqtares, Kaso tha se asgjë tjetër veçse veprimet e saj të cilat ai i cilësoi kontradiktore për çështje të njëjta. Po ashtu, përfaqësuesi ligjor i “Rithemelimit” tha se ankesa e tyre në KPK nuk ndikon në proces pasi gjyqtarja në fjalë nuk e ka më në dorë çështjen e cila tashmë është në Apel. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!