Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit ku u votuan ndryshimet statutore ditën e martë është shoqëruar me debate dhe pakënaqësi.
Një ndër të pakënaqurat ka qenë dhe Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, Endira Bushati, e cila e ftuar në “Real Story” ka thënë se praktika e anëtarësimit për shkak të pozicioneve ka qenë dhe më përpara, pra nuk ka qenë e panjohur. Mirëpo, sipas saj, me urgjencën që s’kemi kohë u kalua, pa u diskutuar.
“Ka shumë kohë deri në zgjedhjet që vijnë, edhe ka shumë pak, por ka zhvillime të vrullshme ka dhe shumë. Unë personalisht do të doja që të kërkonte një kohë më shumë dhe një sheshim mes nesh për të arritur në një proces më të lehtë të pranimit të njëri-tjetrit. Unë do kisha dashur që të bëhej përmes një Kuvendi Kombëtar, ku dhe anëtarësia të kishte mundësinë që të shprehte mendimet e veta. Nuk u bë kështu.
Pra, u bë ndryshimi statutor që i ishte dhënë e drejta Këshillit Kombëtar për ta bërë në raste të veçanta dhe këtu sigurisht jemi të gjithë dakord që ishte rasti i veçantë. Ajo që ishte për debatuar ishte kjo që në dy vite, bashkimi do të ndodhë përmes votës dhe kjo nuk ka qenë praktikë e panjohur për PD. Duhet ta pranojmë që bërja anëtar për shkak të pozicioneve ka qenë dhe më përpara, ka qene dhe me Lul Bashës. Ka qenë një praktikë e tillë dhe nuk ka qene e panjohur. Ajo që ne donim, duke pasur parasysh dhe emrat që vinin në statut ishte të mos bëhej në formën e ashpër, por të gjendej një mekanizëm më sheshues i gjithë njerëzve. Kjo dje çaloi. Unë që në fillim thash që ky është një debat i gjatë dhe ne mund të rrimë deri në 12 të natës mos na vërë kufizim që ne ta diskutojmë për një orë dhe më këtë urgjencën që s’kemi kohë u kalua”, tha Bushati./abcnews.al