Rishikohet për të 5-ën herë Buxheti i vitit 2021, përfshihet marrja e EUROBOND-it 700 mln €

schedule18:09 - 28 Tetor, 2021

schedule 18:09 - 28 Tetor, 2021

Është kthyer për rishikim për herë të 5-të buxheti i vitit 2021. Mësohet se në rishikimin e buxhetit përfshihet edhe marrja e EUROBOND-it 700 milion euro. Përllogaritet që me këtë Eurobond, Borxhi Publik shkon në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh në Kuvend se me 700 milionë eurot që pritet që Shqipëria të marrë nga eurobondi, borxhi publik pritet që të shkojë 80% e PBB-së, i ndikuar nga eurobondi por edhe disbursimi i disa mbështetjeve buxhetore që janë në proces.

Maturimi i EUROBOND-it do të jetë 7 deri në 10 vite në varësi të kushteve, ndërkohë sipas ministres Ibrahimaj, niveli i borxhit do i rikthehet rënies duke nisur nga viti 2022 dhe duke arritur 74.9% në fund të vitit 2025.

Shqipëria është në fazën finale të dokumentacionit që në fillim të muajit Nëntor të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë hua deri në 700 milionë euro.

Ministrja e Financave ka sqaruar se Eurobondi është i domosdoshëm për qëndrueshmërinë fiskale , mbështetjen e sektorëve dhe ruajtjen e nivelit të investimeve në mbi 5 për qind të PBB.

Parlamenti ka miratuar projektligjin për Eurobondin, duke i hapur rrugë emetimit të tij, ndërkohë që ka miratuar edhe Kredinë e BERZH për OSHEE-në në vlerën e 70 milionë euro. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!