Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më lartë gjatë këtij viti. Fondi Monetar Ndërkombëtar në projeksionet e vjeshtës ka rritur pritshmëritë nga 2.2% në 3.6%.
Për vitin e ardhshëm FMN i qëndron vlerësimeve të pranverës, për një rritje prej 3.3% e cila do të përmirësohet në 3.5% deri në vitin 2028.
Projeksionet e reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhen me ecurinë e sektorit të turizmit i cili gjatë këtij viti shënoi shifra rekord. Pritshmëritë janë që deri në fund të vitit Shqipëria do të presë rreth 10 milionë vizitorë të huaj.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është institucioni i dytë financiar që rrit parashikimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë ishte Banka Botërore e cila kishte pothuajse të njëjtat pritshmëri për ecurinë e ekonomisë shqiptare, edhe vlerësimet e qeverisë shqiptare janë pozicionuar rreth këtij niveli.
Ekonomia shqiptare u rrit në rreth 3 % në tremujorin e parë dhe të dytë ndërsa pritet që të ketë një përshpejtim në muajt në vijim, e nxitur dhe nga ecuria e mirë e turizmit.
Sipas FMN rritja ekonomike globale do të jetë e moderuar edhe gjatë këtij viti për shkak të pasojave afatgjata të pandemisë COVID-19, luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe për shkak të efekteve të shtrëngimit të politikës monetare të nevojshme për të ulur inflacionin.
Sipas raportit,të Fondit Monetar Ndërkombëtar shumica e vendeve nuk ka gjasa të kthehen në inflacionin e synuar deri në vitin 2025.
FMN PER RRITJEN EKONOMIKE
ISHTE 2.2%
BEHET 3.6%
PARASHIKIMET E INSTITUCIONEVE PER 2023
Qeveria shqiptare 3.7%
Banka boterore 3.6%
FMN 3.6%
BERZH 2.5% /abcnews.al