Ripërballja Biden-Trump, çështjet kryesore në debat

schedule14:22 - 21 Qershor, 2024

schedule 14:22 - 21 Qershor, 2024

Ripërballja historike mes Joe Biden dhe Donald Trump pritet të jetë gjithçka tjetër, përveçse një përsëritje. Një sërë çështjesh të ndryshme dominojnë garën, teksa Presidenti dhe paraardhësi i tij vihen përballë njëri-tjetrit në debatin e parë të tyre për zgjedhjet e vitit 2024.

Për herë të fundit, ndanë skenën 4 vite më parë. Duket si një jetë tjetër, kur pandemia e koronavirusit pushtonte botën.

Në serinë pasuese të sagës Biden-Trump, një betejë krejtësisht e re po zhvillohet në fushatë. Trump shprehet: “Me këtë njeri do të shkojmë në Luftën e Tretë Botërore. Është Presidenti më i keq”.

Ndërsa Biden thotë: “Këto zgjedhje janë mes një krimineli të dënuar dhe një Presidenti që lufton për familjen tuaj”.

Kjo ofron një dritare të çështjeve dhe linjave të reja të sulmit, në një kujtesë se sa shumë ka ndryshuar vendi dhe bota. Nga kryengritja e 6 janarit dhe pasojat e tij, tek lufta për të drejtat e abortit në Gjykatën e Lartë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia, një luftë në Lindjen e Mesme e deri tek pikëpyetjet mbi rolin e Amerikës në botë.

Dhe prapë, ekonomia, inflacioni dhe emigracioni janë në qendër të vëmendjes. Arritjet e trump ishin në qendër të debatit të fundit mes tyre. Arritjet e Biden janë tashmë nën mikroskop, duke ndërlikuar përpjekjet e tij për ta bërë këtë një referendum ndaj Trumpit.

Kandidatët më të vjetër presidencial në historinë e vendit janë tani edhe më të moshuar. Trump 78 vjeç dhe Biden 81 vjeç, çka e ka kthyer aftësinë e tyre për të udhëhequr në çështje qendrore.

Opinioni publik për president mund të jetë ndëshkues. Pëlqyeshmëria për Biden ka rënë me 11 pikë përqindje që prej 2020, me gati 6 në 10 amerikanë që nuk e shohin pozitivisht. Perceptimi për Trump ka ndryshuar më pak, me më shumë se gjysmën që e shohin jo në dritë të favorshme. Debatet televizive kanë qenë pjesë e rëndësishme e fushatave presidenciale, me momente historike për kandidatët.

E megjithatë, përballja e këtij viti është e pakrahasueshme. Presidentët e 45 dhe 46 të SHBA do të përpiqen të mposhtin njëri-tjetrin në një duel të vjetër, por që luftohet në terren të ri.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!