“Rinovimi nuk është problem”, Presidenti i Atletico Madrid: Nëse Simeone do të qëndrojë, le të qëndrojë

schedule19:38 - 25 Prill, 2023

schedule 19:38 - 25 Prill, 2023

Prej afro 12 vitesh tashmë, argjentinasi Diego Simeone është në krye të pankinës së Atletico Madrid, me “El Cholo”-n që falë arritjeve të tij me “bardhekuqtë” e Madridit është kthyer në teknikun më të paguar në botë, ndërkohë që shumë është përfolur sikur ky është sezoni i fundit i tij në stolin e skuadrës iberike.

Për këtë temë foli dhe Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, i cili i kujtoi tifozëve se Simeone ka ende një vit në kontratën e tij dhe se në rast rinovimi me argjentinasin pritet që kontrata të firmoset pa hapur “probleme”.

“Më bëhet gjithmonë e njëjta pyetje. Ciklet përfundojnë atëherë kur njerëzit duan që ato të përfundojnë. U bënë 11 vite që jemi bashkë me Simeonen.

Ai ka edhe një vit kontratë me ne. Nëse dëshiron të vijojë të jetë trajneri ynë, unë mendoj se e meriton. Rinovimi? Nuk do të kemi probleme për të firmosur kontratën e re”,- tha në fjalën e tij, tekniku i klubit spanjoll.

Ndërkaq, kujtojmë se në 12 vitet e tij si trajner i Atletico Madrid, 52-vjeçari ka fituar nga dy herë trofetë e La Liga, Europa League dhe Superkupën e Europës. Në “dollapin” e tij të trofeve janë gjithashtu dhe një Superkupë Spanje dhe një Kupë Mbreti.

Gjithashtu, nuk duhen harruar as arritjet në Champions League, me Diego Simeonen që i ka çuar 2 herë në finale “bardhekuqtë” e Madridit, ku në të dyja herët janë mposhtur nga rivalët e tyre historikë të Real Madrid. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!