Milani nuk po ia del të rinovojë me Gigio Donnarummën. Kuqezinjtë i ofrojnë portierit të talentuar 8 milion euro në sezon (7+1 në formë bonusesh), por agjenti i tij, Mino Raiola, nuk heq dorë nga pretendimi prej 12 milion eurosh në sezon (10+2 në formë bonusesh).
Ky i fundit pretendon se ka marrë një ofertë tunduese nga Juventusi, por Donnarumma është një tifoz i Milanit dhe nuk dëshiron të largohet nga skuadra e zemrës, aq më tepër si lojtar i lirë. Koha po mbaron, teksa po diskutohet një variant i ri në lidhje me rinovimin.
Sportmediaset raporton se Milani do t’i ofrojë lojtarit zgjatjen e kontratës me… një vit. Rroga do të jetë 8 milion euro, teksa do të përfshihet një klauzolë shitje për në verën e ardhshme prej 30 milion eurosh, që aktivizohet në rast se “Djalli” nuk siguron kualifikimin në Champions (2022/2023).
Një zgjidhje që do të ndikonte që “gardiani” 22-vjeçar të vijonte edhe për një tjetër vit me Milanin, që më pas do të kishte në dispozicion gjithë kohën e duhur për të arritur një tjetër akord që do sillte “blindimin” kuqezi të Donnarummës. /abcnews.al

