Gigio Donnarumma është pa asnjë dyshim një nga portierët më të mirë në qarkullim. “Gardiani” i Milanit është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2021 dhe kuqezinjtë prej kohësh po tentojnë të rinovojnë me të.
Në mediat italiane ka pasur lajme nga më të ndryshmet, të fundit që thonin se Raiola ka hedhur poshtë propozimin prej 8 milion eurosh në sezon që Milani ofron për portierin Donnarumma.
Gjithsesi klubi italian nuk dorëzohet dhe besimi i tyre bazohet edhe te dëshira e vetë portierit, që ka qenë vendimtare edhe në rinovimin e parë që palët kanë bërë në vitin 2017.
“La Stampa” shkruan se Donnarumma ia ka bërë të qartë menaxherit të tij, Raiola, dëshirën për të qëndruar te Milani, duke i thënë “Unë do të rri këtu, ti kujdesu për modalitetet”.
Sikurse kuptohet, rinovimi është çështje kohe dhe menaxheri i famshëm po tenton që të sigurojë një kontratë sa më të favorshme për klientin e tij. Aktualisht Donnarumma përfiton 7.5 milion euro në sezon. /abcnews.al