Rinovimi i Leo Messit me Barcelonën po vonon, negociatat janë shtyrë për momentin, PSG dhe Manchester City janë gati të përfitojnë dhe tifozët katalanas kanë filluar të frikësohen.
Optimizmi i ditëve të kaluara ka rënë disi dhe në lidhje me rinovimin e kapitenit, i cili është lojtar i lirë prej datës 1 korrik, ka folur trajneri Roland Koeman për Mundo Deportivo.
“Sigurisht që duhet të shqetësohesh çdo herë që çështjet nuk zgjidhen, por unë kam besim të plotë te presidenti Laporta, besoj se fundi do të jetë pozitiv.
Leo është shumë i rëndësishëm për Barcelonën dhe gjithë kampionatin spanjoll, pasi është futbollisti më i mirë në botë. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që ai të qëndrojë me ne.
Laporta më ka thënë të qëndroj i qetë. Ai ka besim dhe mendon se do të arrijë akordin me Messin, në mënyrë që të vazhdojë edhe për disa vite me ne. Leo gjithmonë ka treguar se dëshiron të vazhdojë me Barcelonën.
E di që klubi po punon me avokatët dhe babanë e tij për të siguruar një marrëveshje. Ai është i fokusuar te Kupa e Amerikës për momentin, i uroj ta fitojë finalen me Brazilin.
Leo ka dhënë gjithmonë gjithçka për Barçën, unë mendoj se duhet të vazhdojë të luajë këtu. Sigurisht që nuk do të ishte diçka e bukur ta shihnim me një tjetër fanellë mbi supe“, deklaroi trajneri holandez. /abcnews.al