Policia dhe IKMT mëngjesin e kësaj të enjte kanë rinisur sërish punën për shembjen e banesave në zonën e Astirit.
Shembjet janë pjesë e aksionit për punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe.
Në një lidhje për ABC e Mëngjesit, gazetari Maksi Rama raporton se nga aksioni i IKMT-së janë parashikuar të prishen rreth 25-30 godina në Unazën e Re. Ndërkohë familjet i kane boshatisur që me 17 shkurt banesat dhe bizneset.
Në zonë ka forca të shumta policie, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë, duke penguar edhe banorët të qarkullojnë lirshëm.
Ndërkohë në zonën e Astirit siç raporton gazetari është krijuar kaos, pasi nuk ka patur më herët një njoftim zyrtar nga IKMT se do të niste prishja e objekteve.
Trafiku është devijuar nga rreth-rrotullimi i Astirit deri tek ish-Shqiponja, por një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë qenë në dijeni të këtij aksioni dhe për pasojë janë bllokuar në trafik. /abcnews.al