Rinis itinerari ballkanik i emigrantëve, nga Greqia për në Shqipëri

schedule15:30 - 30 Shtator, 2021

schedule 15:30 - 30 Shtator, 2021

Emigracioni i madh i popujve të mijëvjecarit të tretë është përhapur në mijëra rrugë, ndërsa më e rrahura aktualisht është ajo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë

Me vjeshtën është rikthyer dhe itinerari ballkanik. Sipas Associated Press rreth 50 emigrantë, në anën greke, po qëndrojnë në një ish zonë ushtarake të braktisur  tashmë, në pritje për të hyrë në Shqipëri.

Vija e kufirit është vetëm 50 metra larg. Një prej tyre, sirian, tregon se dëshiron të vazhdojë udhëtimin dhe pse nuk mund të ecë mirë pasi i dhemb këmba.

Por ka dhe nga ata të cilët qëndrojnë prej më shumë se 50 ditësh në këtë zonë. Shaik është kryefamiljar dhe ka pesë fëmijë të moshës nga 5 deri në 15 vjec. Ai është përpjekur të kalojë kufirin gjashtë herë, por të gjitha herët është kthyer mbrapsht. Ai tregon se kërkon të hyjë në vendin tonë, për të vazhduar udhëtimin në Serbi. Por sipas tij në kufirin me Shqipërinë është Fronteks, me polici gjermane, italiane dhe hungareze, prandaj është e pamundur të kalohet.

Emigrantët vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Kanë opsione të ndryshme, të gjitha të paligjshme si për shembull të shkojnë me gomone në Itali ose të kalojnë nëpërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!