Dalja e gazetarit në konferencë, që mendohej i vrarë në Ukrainë, ka mahnitur kolegët e tij. Ata shpërthyen në festë ndërsa mësuan se Babachenko ishte gjallë dhe nuk kishte pësuar asnjë lëndim.
Ky është momenti kur në dhomë gazetarët e pikëlluar shpërthejnë në festë ndërsa kolegu i tyre që shkruante kundër Vladimir Putin, për të cilin mendonin se kishte vdekur, shfaqet në një konferencë për shtyp. Arkady Babachenko, mahniti kolegët që festuan me shumë entuziazëm në neësroomin e tyre në Kiev pasi 41-vjeçari doli në skenë gjallë dhe i pa lënduar.
Disa nga gazetarët më të prekur shpërthyen në lotë kurse të tjerët qëndruan në heshtje ndërsa panë zbulimin marramendës se vdekja e tij është inskenuar për të shmangur një komplot Rus për vrasjen e tij. Babachenko, i cili ka thënë më herët se i druhet një përpjekje për vrasje nga ana e Rusisë, i kërkoi falje miqve dhe familjes që filluan të mbanin zi për të deri në konferencën për shtyp, përfshirë bashkëshorten.
Më pas në mbrëmje, gazetarë të shumtë dolën në sheshin qendror të Kievit duke festuar me verë dhe përqafime “ringjalljen” e Babachenko-s. Të martën, Kievi dhe policia njoftuan se gazetari, një kritik i ashpër i Kremlinit, është qëlluar disa herë në kurriz dhe është gjetur në afërsi të apartamentit të tij nga bashkëshortja. Madje publikuan edhe një fotografi, ku tregohej Babachenko i qëlluar me disa plumba dhe i mbuluar nga gjaku.
Për këtë çështje, Kievi akuzoi “makinerinë totalitare të Rusisë”, për vrasjen e gazetarit. Ndërsa Moska tani thotë se Ukraina ka përdorur Babachenko-n si mjet propagande./abcnews.al