Rindizet dhuna në Rripin e Gazës pas firmosjes së marrëveshjes mes Izraelit dhe vendeve të Gjirit

schedule14:23 - 16 Shtator, 2020

schedule 14:23 - 16 Shtator, 2020

Militantët në Rripin e Gazës lëshuan raketa në drejtim të Izraelit dhe në anën tjetër avionët izraelitë bombarduan objektiva në territorin palestinez. Incidentet vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjeve historike për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe dy shteteve arabe të Gjirit.

Ushtria izraelite tha se kishte nisur rreth dhjetë sulme ajrore në Gaza më 16 shtator. Siç njoftohet, 15 raketa u lëshuan nga territori i Gazës në drejtim të komuniteteve izraelite pranë kufirit. Lëvizja Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës, konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, transmeton abcnews.al

 

Më 15 shtator, një raketë nga Gaza goditi qytetin bregdetar izraelit Ashdod, duke plagosur dy njerëz, ndërsa Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur marrëdhënie diplomatike.

“Nuk jam i befasuar që terroristët palestinezë qëlluan në drejtim të Izraelit pikërisht gjatë kësaj ceremonie historike”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, derisa po largohej nga Uashingtoni.

“Ata duan ta përmbysin paqen. Por, ata nuk do të kenë sukses”,  tha Netanyahu para gazetarëve.

“Paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon nuk do të arrihen derisa të përfundojë pushtimi izraelit”, tha udhëheqësi palestinez, Mahmud Abbas.

Marrëveshja mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit përfshin një premtim për të pezulluar aneksimin izraelit të pjesëve të Bregut Perëndimor të pretenduara nga palestinezët. Vendet e Gjirit kanë thënë se kjo pikë e marrëveshjes siguron interesat palestineze, transmeton abcnews.al

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve.

“Pas dekadave të ndarjes dhe konfliktit, ne shënojmë agimin e një Lindjeje të re të Mesme” tha Trump.

 

Në ceremoni morën pjesë ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe ministri i Jashtëm i Bahrejnit, Abdullatif al-Zayani.

Ministri i jashtëm i Emirateve falënderoi Izraelin për “pezullimin e aneksimit të territoreve palestineze”. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se Izraeli ka pezulluar vetëm përkohësisht planet e tij për të aneksuar vendbanimet e Bregut Perëndimor, dhe se ka përdorur normalizimin e raporteve me vendet arabe për të treguar aftësinë e tij për një arritje diplomatike historike.

“Kjo është një ditë kyçe e historisë”, tha Netanyahu.

Normalizimi është gjithashtu i rëndësishëm lidhur me paralajmërimet e presidentit Trump se më shumë vende arabe dhe muslimane do të ndjekin shembullin e Emiratave dhe Bahrejnit.

Analistët thonë se Omani, Sudani, Maroku, madje edhe Arabia Saudite mund të jenë shtetet e radhës që do të njohin shtetin hebre.

Para Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit, vendet e tjera arabe në Lindjen e Mesme që kanë njohur zyrtarisht Izraelin janë Egjipti dhe Jordania, të cilët nënshkruan traktate paqe përkatësisht në 1978 dhe 1994. s.ba/abcnews.al