Rikthimi i tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë ka vendosur në lëvizje edhe njëherë ndërkombëtarët, edhe pse zgjidhja duket shumë larg. SHBA dhe Gjermania reaguan ashpër kundër Turqisë, pasi anija “Oruc Reis” la portin e Antalias dhe u drejtua për në Mesdhe duke sjellë përshkallëzimin e tensioneve.
Shtetet e Bashkuara i dërguan një mesazh të fortë Turqisë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i kërkoi Ankarasë të ndalojë “provokimet e paramenduara”. “Shtrëngimi, kërcënimet dhe aktiviteti ushtarak nuk do të zgjidhin tensionet në Mesdheun Lindor” tha ai.
Pak më vonë, ishte ministri i Jashtëm gjerman, i cili bëri një udhëtim rrufe, fillimisht në Nikosia dhe më pas në Athinë. Vlen të përmendet se Haiko Maas shtyu vizitën e tij në Ankara, pas provokimeve të fundit turke.
“Turqia duhet të ndalet. I takon Turqisë të krijojë kushtet për bisedimet” tha ministri i jashtëm gjerman nga Nikosia, duke e përshkruar lëvizjen e njëanshme të Ankarasë si një goditje të përpjekjeve për negociata. Maas pati një takim me Kryeministrin, Kyriakos Mitsotakis dhe më pas me homologun e tij grek, Nikos Dendias.
Kreu i diplomacisë gjermane tha se ai ka “mirëkuptim nëse tani në Athinë nuk ka vetëm befasi, por edhe zemërim, pasi përsëri – kjo nuk është hera e parë – me sfida nga pala turke”.
Kyriakos Mitsotakis, nga ana e tij, i dërgoi një mesazh të fortë Ankarasë “Padyshim që ne nuk do të vazhdojmë me diskutime në këto rrethana, me një anije në det dhe unë pres që çështja të diskutohet përsëri në Këshillin e ardhshëm Evropian.
Le të shpresojmë që së shpejti do të arrijmë në pikën ku, me të vërtetë, do të ulemi në tryezën e negociatave dhe do të diskutojmë, si njerëz të arsyeshëm“, nënvizoi kryeministri.
Në një zhvillim paralel, i cili demonstron klimën ndërkombëtare për Turqinë, Mevlüt Çavuşolulu pati incidente verbale me homologen e tij suedeze, Anne Linde, gjatë takimit të tyre në Ankara.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kjo e fundit i kërkoi Turqisë të tërhiqte trupat e saj nga Siria dhe theksoi se ajo nuk duhet të shkelë të drejtat sovrane të Republikës së Qipros në EEZ.
Ministri i Jashtëm turk e pyeti me forcë “pse e thotë këtë dhe kush e urdhëroi ta bënte” dhe pse ajo nuk flet për turqit në Qipro dhe hidrokarburet, duke shtuar se ajo mbështet PKK (Partia Punëtore Kurde) me qëndrimin e saj.
Ndërkohë, marina greke ka vendosur anijet në gatishmëri. Mediat greke raportojnë se ato janë ”me gishtin në këmbëz” dhe presin të shohin cili do të jetë reagimi i anijeve turke./ db/Abcnews.al