Rindërtohet skena e vrasjes së Pjerin Xhuvanit/ Eksperti: Është e vështirë të gjenden prova të reja

schedule23:45 - 27 Mars, 2024

schedule 23:45 - 27 Mars, 2024

TIRANË- Rindërtohet për herë të dytë skena e vrasjes Pjerin Xhuvanit në Elbasan 3 vite më parë, pas kërkesës së autorit të vrasjes, Arbër Paplekaj.

Përfundimet do t’i dorëzohen Gjykatës së Apelit, por burime thanë se nga ndërtimi i skenës nuk janë nxjerrë detaje të reja dhe konkluzionet mbeten të pandryshuara.

Gazetari i ABC News, Ervin Leka, tha se rindërtimi i skenës së krimit është bërë pas kërkesës së Paplekaj, por gjasat për sigurimin e provave të reja mbeten të pakta.

“Ka qenë një kërkesë e bërë nga Arbër Paplekaj, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Rindërtimi nuk është se ka nxjerrë diçka të re, pavarësisht se u kërkua të bëheshin matjet. Nga arma e Paplekaj rezulton se janë qëlluar 7 plumba, ndërsa gëzhojat e tjera që janë gjetur nuk kanë ende një autor”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i ftuar në “Ora e Fundit” u shpreh se është shumë e vështirë të sigurohen prova të reja, në rrethanat kur, ka kaluar një kohë e konsiderueshme nga momenti i vrasjes.

“Kjo rikërkesë për të vlerësuar skenën e krimit, nuk është hera e parë që mund të ndodhë. Rindërtimi i skenës së krimit bëhet gjithnjë më i vështirë kur ka kaluar kohë e gjatë nga ngjarja. E vështirë të gjenden prova të reja për skenën e krimit. Ka një sasi gëzhojash, që nuk kanë dalë nga e njëjta armë dhe rindërtimi i kësaj skenë nuk është se dha diçka të re.”, tha Softa/abcnews.al