Kreu i degës së PD, Durrës Ferdinand Xhaferraj ka akuzuar ish-kryetaren e Bashkisë së Durrësit se ka marrë vendime për hartim plani banesash në Durrës bazuar në një vendim të Bashkisë së Kavajës. Ai thotë se në vendim ndodhet miratimi i vulosur 2 herë me të njëjtën vulë, gjë që e bën dokumentin të pavlefshëm. Ai ngre pyetjen nëse ka apo jo transparencë në këtë proces.
“Edhe një herë mbi mungesën e transparencës dhe paaftësisë së Bashkisë Durrës në procesin e “Rindërtimit”!
Nisur nga një vëzhgim në internet, patjetër jo në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, pasi siç është theksuar disa herë që ajo nuk është transparente në lidhje me vendimet që merren nga titullari i saj, edhe për një proces aq delikat dhe i rëndësishëm për qytetarët siç është procesi i rindërtimit, vura re se janë marrë vendimet për miratimin e PDV (planeve të detyruara vendore) për zonat e rindërtimit pikësor (shtëpitë individuale, ose banesa kolektive).
Vendimi më i fundit është ai me nr.606 datë 13.10.2020 “Për miratimin e planit të Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara Pikësore, për 141 Banesa Individuale Bashkia Durrës”. Ajo cka vihet re në bazën ligjore ku është bazuar ky vendim është edhe Vendimi nr.22 datë 22.05.2020 “Për rindërtimin në të njëjtin truall të njësive individuale të banimit, të vlerësuara për shembje referuar akt-ekspertizave të thelluara të Institutit të ndërtimit, miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kavajë”.
Pra, Kryebashkiakja Sako ka marrë disa vendime për hartim plani për rindërtim banesash në Bashkinë Durrës, bazuar në një Vendim të Këshillit Bashkiak Kavajë?!
Ky është niveli i aftësive të administratës dhe i bashkisë çalamane!
Po në këtë vendim ndodhet miratimi i vulosur 2 herë me të njëjtën vulë, gjë që e bën dokumentin të pavlefshëm. Eshtë e qëllimshme apo “paaftësi” ?!
Së dyti, vihet re se me Vendimin nr.597 datë 09.09.2020 “Për miratimin e planit të Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara Pikësore, për 279 Banesa Individuale, Njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës ”, i cili është bazuar në Vendimin nr.39 i KSHR datë 22.07.2020 , i cili miratohen për ndërtim ndërtim në të njëjtin truall 274 banesa në Njësinë Administrative Ishëm.
279 Banesa në Vendimin e marrë nga Kryebashkiakja Sako
274 Banesa në Vendimin e marrë nga KSHR
A është 279 = 274 ?! A ka transparencë në këtë proces?”, shkruan Xhaferraj./mv. abcnews.al