Rimëkëmbja pas përmbytjeve, Spanja gati paketën e re të ndihmës prej 2,2 miliardë eurosh

schedule14:52 - 27 Nëntor, 2024

schedule 14:52 - 27 Nëntor, 2024

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi sot një paketë të tretë ndihme prej 2,274 miliardë eurosh për rindërtimin e zonave të prekura nga stuhia “Dana” muajin e kaluar.

Gjatë paraqitjes së tij në Kongres, Sanchez tha: “Qeveria do të miratojë një paketë të tretë ndihme me 60 masa të dizajnuara për të përshpejtuar kthimin në normalitet dhe rimëkëmbjen e zonave të prekura nga kjo tragjedi”.

Paketa e tretë e ndihmës pasoi ato të miratuara më 5 dhe 11 nëntor, duke e çuar totalin e ndihmës shtetërore të ndarë për viktimat në mbi 16,6 miliardë euro.

Paketa përfshin ndihmë shtesë, instrumente krediti dhe masa të tjera për “përshpejtimin e kthimit në normalitet dhe rimëkëmbjen”, tha ai.

Sanchez mbrojti menaxhimin e tij të katastrofës së shkaktuar nga moti pas kritikave nga opozita kryesore Partia Popullore (PP) dhe pohoi se qeveria “e ka bërë punën e saj që nga fillimi”.

“Qeveria e kreu detyrën e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha ai.

Sanchez shtoi se qeveria e tij është e hapur për krijimin e një komisioni hetimor. Ndërkohë, kreu i PP-së, Alberto Nunez Feijoo kritikoi Sanchezin për “zero autokritikë” në lidhje me stuhinë “Dana” dhe e akuzoi atë për mungesë veprimi.

“Ata e dinin se çfarë do të ndodhte dhe nuk bënë asgjë”, tha Feijoo, duke kritikuar Sanchezin për mosshpalljen e një emergjence kombëtare. Stuhia “Dana”, e cila goditi Spanjën më 29 tetor, veçanërisht rajonin e Valencias, mori jetën e mbi 220 njerëzve.