Rimëkëmbja nga kriza e Covid-19 të sektorit të transportit: Si do shpërndahen 2 mln euro

schedule07:28 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 07:28 - 10 Dhjetor, 2021

Transportit publik urban të Tiranës pritet t’i shpërndahen 2 mln euro fonde në formë subvencioni për rimëkëmbjen e sektorit nga kriza e Covid-19.

Fondi do të përdoret për 2022 dhe parashikohet të ndahet në formë subvencionesh mujore për secilin operator urban kryeqytetas. Kriteret e shpërndarjes të subvencionit do të përcaktohen nga Këshilli Bashkiak i Tiranës javën e ardhshme. Gjysma e fondit për subvencionin e transportit në Tiranë është financuar nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga Bashkia e Tiranës.

Drejtuesi i transportit urban për linjës Kinostudio-Kombinat-Tufinë në kompaninë Shega Trans, Kostandin Foni tha për Monitor se dhënia e subvencionit pritet të lehtësojë situatën në këtë sektor, ndonëse për ta mbetet ende problematike rënie e numrit të pasagjerëve. “Pritet që fondi të shpërndahet bazuar në itinerarin e linjave të transportit dhe kapacitetit të mjeteve urbane që disponon secili operator. A do të jetë i mjaftueshëm subvencioni për secilin operator të transportit urban për të kapërcyer situatën e krizës kjo mbetet për të gjykuar pas shpërndarjes të tij. Shpërndarja e subvencionit është një ndihmë për sektorin, por mbeten endë të pamiratuara kërkesat për uljen e TVSH-së, si dhe heqjen e akcizës ose të taksës të qarkullimit për naftën e përdorur”.

Pavarësisht rritjes të ardhurave nga ndërprerja e informalitetit për shitjen e aboneve në tregun e zi me çmime 500 deri 600 lekë nga 1,200 lekë operatorë të tregut pohojnë se janë ende në vështirësi financiare për shkak të rënies të numrit të pasagjerëve. “Numri i pasagjerëve aktualisht është 55-60% më pak se në 2019. Arsyeja e rënies të numrit të tyre është emigracioni, kryesisht i të rinjve. Në këto kushte ne po operojmë vetëm me 70% të flotës të autobusëve”, nënvizon përfaqësuesi i kompanisë Shega Trans.

Në mesin e muajit tetor 2021 transporti urban në Tiranë, Kamëz dhe Vorë reduktoi shërbimin 50% për shkak të mospërballimit të kostove të larta nga kriza e Covid-19 dhe shtrenjtimi i çmimit të naftës. Operatorët në Tiranë kërkuan indeksim të çmimit të biletës dhe të abonesë mujore. Çmimi i biletës të transportit urban në Tiranë është 40 lekë dhe i abonesë të linjës 1,200 lekë dhe abonesë të përgjithshme 1,600 lekë. Më pas Shoqata Kombëtare e Transportit Urban letrat drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj operatorët kërkuan indeksimin e çmimit të biletës, uljes të TVSH-së, si dhe heqjen e akcizës për naftën e përdorur nga sektori i transportit, në të kundërt do të pezullonin 80% të shërbimit nga 1 nëntori.

Pas rihapjes nga pandemia (shërbimi i transportit rinisi aktivitetin më 6 korrik 2020) shërbimi i transportit urban në Tiranë u përball me rënie të pasagjerëve deri në 60%, ndërsa u përdor 75% e flotës të autobusëve. Për t’i mbijetuar krizës në 2020 operatorët i kërkuan qeverisë plotësimin e 4 kërkesave financiare si: subvencionimi i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë; Heqja e akcizës dhe e taksave të karburantet, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë; zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% – 0% për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% në vijim si sektori i hoteleri turizmit; rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport publik falas./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!