Qeveria franceze do të akordojë një fond prej 100 miliardë eurosh për të ndihmuar ekonominë e goditur rëndë nga COVID-19. Kryeministri Jean Castex do të shpjegojë “Planin e Rimëkëmbjes” të qeverisë gjatë një konference për media.
Presidenti francez Emmanuel Macron, deklaroi në fund të muajit gusht se paketa ishte “ambicioze” dhe se është “ndër më të rëndësishmet në Europë për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Qeveria gjithashtu do të akordojë 40 miliardë euro për të mbështetur industrinë dhe shërbimet vendase, 30 miliardë euro për energjinë, 15 miliardë euro për të rritur inovacionin dhe zhvillimin e “teknologjive strategjike”.
“Shpresoj që plani i rimëkëmbjes në 2021 të mundësojë krijimin e 160 mijë vendeve pune”, shtoi Castex.
Ekonomia në Francë u tkurr me 13.8 për qind në tremujorin e dytë, ndërsa gjatë 3-mujorit të parë me 5.8 për qind. Banka e Francës ka vlerësuar se PBB-ja do të tkurret me 10.3 përqind gjatë vitit për shkak të pandemisë./s.b.abcnews.al