Rimëkëmbet industria e lidhur me ndërtimin, prodhuesit e këpucëve dhe transporti ende në vështirësi

schedule07:19 - 20 Qershor, 2021

schedule 07:19 - 20 Qershor, 2021

Ndonëse me shpejtësi të ndryshme, pjesa më e madhe e sektorëve raportojnë ecuri pozitive. Industria e tekstileve dhe këpucëve vazhdon të vuajë masat kufizuese që po zbatohen në vendet e Europës. Fabrikat e këpucëve janë më tepër në vështirësi, për shkak të mungesës së lëndës së parë prodhuese. Në tërësi, shitjet e sektorit krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s janë 11% më pak.

Në anën tjetër, rikthimin më të shpejtë në normalitet e ka pasur industria e lidhur me ndërtimin. Kurum, eksportuesi më i madh në vend dhe prodhuesi i çelikut raporton rritje të lartë të kërkesës si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm. Përfaqësuesit e “Antea Cement” sh.a. thanë se kërkesa e lartë për çimento në tregun e brendshëm është nxitur nga sektori i ndërtimeve dhe zhvillimi i programeve të rindërtimit.

Prodhuesit e këpucëve, në vështirësi për lëndë të parë

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend, vijojnë të vuajnë pasojat e karantinave të reja të Europës. Sipas të dhënave të INSTAT, ndonëse me rritje prej 17% për 4-mujorin në raport me janar-prill 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 13% më të ulëta në raport me 4-mujorin normal të 2019-s. Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Premçe, tha se ecuria e eksporteve, e parashikuar që në janar 2021, ka shënuar rritje të lehtë. Ajo do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, për shkak të hapjes së shumë vendeve europiane.

“Kemi një trend në rritje të kërkesave të ndryshme nga klientë të cilët deri dje ishin të fokusuar në vendet aziatike ose gjetkë dhe ky është një rast unik, që pa një politikë mbështetëse nga ana e qeverisë, do të na bënte të mbetemi mbrapa vendeve fqinje, të cilat janë më agresive në tregun botëror. Panairet, modernizimi/diversifikimi i impianteve prodhuese dhe qeveria me politikat e dedikuara për ‘Made in Albania’ do të jenë çelësi i rimëkëmbjes të sektorit”.

Situata paraqitet pozitive për prodhuesin e veshjeve të brendshme dhe uniformave të sigurisë të kompanisë “Madish” sh.p.k. në Shkodër. Administratori Gjergj Liqejza thotë se prodhimi tek uniformat është rritur 30% më shumë se vjet. “Edhe krahasuar me 2019-n, prodhimi nuk ka pësuar rënie, pasi ne prodhojmë veshje të brendshme dhe uniforma për sektorin e sigurisë.

Edhe në Itali, partneri ynë kryesor, tregu për këtë kategori veshjesh nuk është tkurrur. Veshjet e modës janë më të prekurat nga kriza. Porositësit tanë siç është firma e njohur “Cotonela” dhe ajo e uniformave “Kimay” nuk kanë tkurrur aktivitetin. Aktualisht prodhimi i veshjeve të brendshme është në nivelin e 2019-s dhe për uniformat është 30% më shumë. Presim të rinovojmë kontratën e prodhimit me kompaninë e njohur gjermane “Triumph”, çka do të rrisë prodhimin 20% më shumë të veshjeve të brendshme se në 2019”.

Në ndërmarrjen e veshjeve “Madish” sh.p.k janë të punësuar rreth 200 punonjës. Në këtë periudhë pandemie, në fabrikë nuk është shkurtuar asnjë punonjës. Drejtuesi i fabrikës ngre, si të vetmin shqetësim, gjetjen e punonjësve të kualifikuar për të përballuar fluksin e prodhimit. Në mungesë të tyre z. Liqejza do të rrisë investimet për automatizimin e procesit të prodhimit.

“Parashikojmë që së shpejti të zgjerojmë aktivitetin e prodhimit të uniformave, duke hapur një sektor të ri të fabrikës me 20 deri 40 punonjës të rinj. Përveç këtij investimi parashikojmë që të kryejmë rinovimin e të gjithë makinerive në fabrikë duke e kthyer procesin të automatizuar, pasi po hasim shumë vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar. Për automatizimin e makinerive të uniformave parashikohet të investohet minimalisht 700 mijë euro për periudhën 2021-2022. Efektet pritet të jenë tepër pozitive, për shkak të këtij investimi. Brenda vitit 2023, prodhimi do të dyfishohet në krahasim me 2020, pavarësisht vështirësive në gjetjen e punonjësve të rinj”.

Ndryshe nga tekstilet, në këtë periudhë, prodhuesit e këpucëve janë në vështirësi për gjetjen e lëndës së parë, ndonëse porositë për prodhimin e këpucëve nuk kanë munguar siç thekson administratori i kompanisë “Fital”, Skënder Pashaj.

“Shumë vende si Italia, Turqia, Tunizia, Pakistani dhe India kanë vonesë të furnizimit në lëndën e parë të prodhimit të këpucëve. Në total, në këtë periudhë për sezonin e ri janë prodhuar 600 mijë palë këpucë. Nga këto kemi shitur 220 mijë palë. Krahasuar me vjet, shitjet janë rritur, ndërsa në raport me periudhën para pandemisë janë 20-25% më të ulëta”, pohon z. Pashaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Fital” parashikon që deri në muajin mars 2022 do të vazhdojnë problemet me gjetjen e lëndës së parë prodhuese. Përmirësimi pritet të nisë pas muajit mars të 2023 dhe deri në muajin tetor do të duket ecuria e sektorit.

Prodhuesit e çimentos ndjekin ndërtimin, rritje edhe pas karantinës

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 19% të totalit) u trefishuan në prill. Pandemia nuk pati ndikim frenues në aktivitetin e ndërtimit në vend dhe kjo është reflektuar edhe në industrinë e prodhimit të çimentos. Përfaqësues të kompanisë “Antea Cement” sh.a., thanë për “Monitor” se kërkesa e tregut të brendshëm gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti është 25% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2020 dhe njëjtë me janar-majin e 2019-s.

“Duket qartë se rritja e kërkesës së tregut të brendshëm për çimento vjen kryesisht për shkak të ndërtimeve të reja në Tiranë dhe programit të rindërtimit. Në vlera totale, kërkesa e tregut të brendshëm në 2020 ishte 10% më shumë se vitin e kaluar”.

Ecuria e kërkesës për çimento ka qenë e lartë edhe për tregun e huaj. Eksportet e kompanisë në rrugë detare u rritën 30% krahasuar me 2020. “Aktualisht fabrika është duke punuar me kapacitet të plotë, për shkak të nevojës për t’i shërbyer jo vetëm tregut të brendshëm, por edhe eksporteve. Këto të fundit janë të orientuara për vendet fqinje, të cilat kryhen përmes transportit rrugor. Për 2021, eksportet kanë qenë në nivele të njëjta me ato të viteve 2020 dhe 2019.

I njëjti konstatim vlen te theksohet edhe sa u takon transporteve në këto vende. Eksportet e kryera në rrugë detare (Itali dhe Maltë) janë 30% më shumë se në 2019-2020. Duke mbetur optimistë se kërkesa e tregut do të vazhdojë të jetë në nivelet aktuale, parashikojmë që edhe prodhimi të vijojë me kapacitet të plotë”, nënvizuan përfaqësuesit e kompanisë më të madhe të prodhimit të çimentos “Antea Cement”.

Për 2021, edhe prodhimi i çelikut është rritur. Një vit më parë, “Kurum” u detyrua të mbyllë aktivitetin për pak ditë, si rrjedhojë e pandemisë. Që nga vera e vitit të kaluar, kompania filloi të marrë veten dhe tashmë vijon eksportin në rajon.

Për 4 -mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 92%, ndërsa janë 32% më të larta edhe se në janar-prill të 2019-s. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, thotë se përmirësimi ka ardhur nga rritja e kërkesës, si nga tregjet e jashtme të Ballkanit, ashtu dhe të brendshme.

Kërkesa, sipas tij, është në nivele rekord dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje të çmendur çdo javë, si rrjedhojë e blerjeve të Kinës. Çmimi i hekurit ka arritur aktualisht në 700 euro pa TVSH, nga 460 euro në prill të një viti më parë dhe 400 euro një vit më parë.

“Nuk po arrijmë të përballojmë dot kërkesën”, thotë Shkalla. Kërkesa është rritur me 50% edhe në tregun e brendshëm, ndërkohë edhe importet e metaleve në vend janë zgjeruar ndjeshëm. Shkalla shton se ndërsa janë të favorizuar nga tregjet e jashtme, nga ana e qeverisë nuk po shohin lehtësi, pasi nuk u rimbursohet TVSH-ja që nga janari 2020 (900 milionë lekë), dhe kanë vonesa në procedurat e eksportit. Kompania gjithsesi po e shfrytëzon këtë periudhë të mirë për të vazhduar me shlyerjen e kredive në banka dhe për të rritur investimet./Monitor