Dani Ceballos zgjodhi të huazohej sërish tek Arsenali. Ulja e Mikel Artetës në stol ka ndikuar për mirë te “Topçinjtë” dhe te mesfushori spanjoll.
Kartonin e 24-vjeçarit e zotëron Real Madrid, por lojtari ofensiv ndihet shumë mirë te klubi londinez. Ceballos ka bërë edhe llogaritë e tij, pasi e do me çdo kusht grumbullimin me Spanjën në Euro 2021.
“Dani Ceballos i vërtetë është ai që keni parë pas pandemisë. Jam përmirësuar shumë në fazën defensive, Premier të detyron të luash në limite.
Bisedova me Real Madrid dhe u thashë drejtuesve që Arteta më donte sërish tek Arsenali. Më kërkuan të prisja, por unë e kisha vendosur të rikthehesha te klubi ku kalova shumë mirë.
Euro 2021 po afron dhe e kam të qartë se duhet të jem një lojtar i rëndësishëm aty ku luaj. Me Artetën kam gjetur lumturinë si lojtar dhe si njeri. Kjo ka rëndësi të madhe për një futbollist“, deklaron Ceballos. /abcnews.al