“Rikthimi” i Saimir Tahirit

schedule14:10 - 21 Shtator, 2019

schedule 14:10 - 21 Shtator, 2019

Saimir Tahiri mund të marrë frymë lirisht. Gati 2 vjet më parë prokuroria kërkoi arrestimin e tij me akuzat për trafik droge. Emri i ministrit të brendshëm të kohës kishte dalë në përgjimet italiane të kushërinjve të tij, që i çuan këta të fundit pas hekurave në Itali, për trafik ndërkombëtar droge. Të enjten e 19 shtatorit 2019, gjykata e shkallës së parë për krime të rënda e gjen fajtor vetëm për shpërdorim detyre dhe e dënon me 3 vjet  shërbim prove. I pritshëm apo jo, ky zhvillim spikati javën politike që lamë pas, ndërsa mazhoranca e opozita vijojnë të bashkëjetojnë në pozita të pandryshuara me krizën politike, prej fillimit të këtij viti, edhe pse mundësitë për dialog, nuk janë më një tabu.

https://youtu.be/-Feo5R98Ewg

12 vite burg kishte kërkuar prokuroria e krimeve të rënda për ish ministrin e brendshëm, kërkesë që u konvertua në 8 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar, që Gjykata i kishte pranuar Saimir Tahirit. Pas seancës 5 orëshe, trupës gjykuese iu deshën afro 8 orë për të shpallur vendimin: mospranimin e akuzave të ngritura nga prokuroria për trafik të narkotikëve i kryer në bashkëpunim,në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata e gjeti fajtor ish ministrin për shpërdorim detyre.

Për këtë akuzë të pakërkuar nga prokuroria, gjykata e dënoi ish ministrin me 5 vite burg, që me gjykimin e shkurtuar konvertohen në 3.4 vite, dënim që gjithaq e konvertoi në 3 vjet shërbim prove, gjatë së cilave, ish ministrit të brendshëm i ndalohet marrja e posteve publike. Saimir Tahiri u shfaq i pakënaqur.

Edhe prokuroria njëlloj si Tahiri, njoftoi apelimin e vendimit. Ai kualifikim i veprës penale, që në perceptimin publik duket i lehtë, në fakt e penalizon ish kreun e PS së Tiranës në karrierën politike, bazuar në ligjin e dekriminalizimit. Natyra e krimit të kryer e jo masa e dënimit, vepron për ndalimet e këtij ligji. Shpërdorimi i detyrës me referencë nenin 248 të Kodit Penal, kualifikohet në ligjin e dekriminalizimit tek veprat e korrupsionit, ndalimi për të cilat për të kandiduar është 20 vjet. Lulzim Basha reagoi i pari, duke e konsideruar vendimin të turpshëm.

Të nesërmen qëndrimi i selisë blu u zyrtarizua me zë e figurë. Po të nesërmen erdhi edhe qëndrimi i ambasadës së SHBA, që foli për vendim shkurajues. Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar ishte në të njëjtën linjë.

Vendimi për Saimir Tahirin u pasqyrua gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Edi Rama zgjodhi të heshtë dhe të nesërmen e vendimit, ditën nuk e nisi në zyrën kryeministrore, por me një takim organizativ me strukturat socialiste të Veriut në Velipojë. Në takim mungonte Ditmir Bushati, por jo Tom Doshi, një nga zërat që sipas burimeve nga mbledhja, i ishte ankuar Ramës për mënyrën e emërimeve të drejtorëve në Shkodër. Asnjë koment për Saimir Tahirin, dukej strategjia e mazhorancës.

Vendimi për Tahirin vjen në momentin kur vendi ndodhet para një provimi të ri në Bruksel për hapjen e negociatave. A do ndikojë vallë ky vendim, për vendin që prej fillimit të vitit mbart pa zgjidhje një krizë politike e institucionale? Në politikë, komunikimi publik është çelësi i suksesit, pasi beteja bëhet për perceptimin publik. Në mediat tradicionale apo rrjete sociale, fiton ai që arrin të imponojë një perceptim të caktuar, e jo thjesht ai që ka të drejtë. Një betejë e tillë u zhvillua edhe javën politike që lamë pas, e instrumente ishin qëndrimet e ndërkombëtarëve, pikërisht në prag të vendimit të KE për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit më 18 tetor. Ky moment po dikton sjelljen e aktorëve politikë në Tiranë. Edi Rama ka zgjedhur heshtjen si strategji, edhe kur pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës, Mark Babani i Vaut të Dejës e Agim Kajmaku i Vorës, po akuzohen më dokumenta nga PD për probleme me drejtësinë e vendeve fqinje, të padeklaruara në momentin e kandidimit. Njëlloj vijon të heshtë edhe prokuroria, që u ka marrë tashmë të treve shenjat e gishtave.

Por edhe Lulzim Basha po luan në tërheqje. I kompleksuar apo jo nga akuzat, se po pengon hapjen e negociatave, e ka ndërprerë aksionin e protestave, deri në 18 tetor, kur del vendimi i KE. Por kjo lëvizje e Bashës ka lënë pa shënjestër Edi Ramën, i cili javën politike që lamë pas, tentoi të rikthente vëmendjen tek opozita, si jobashkëpunuese për integrimin e vendit, por edhe tek zërat për një marrëveshje të ardhshme mes të dyve. Lëvizjet u panë të mëkurën, me objekt reformën zgjedhore, një kërkesë tashmë jo vetëm e Brukselit, por edhe e SHBA.

Paradreken e të mërkurës, në media rrodhi kjo ftesë e nënshkruar nga ambasadori i OSBE, që ditët e fundit ka intensifikuar takimet majtas e djathtas, si dhe dy bashkëkryetarëve të komisionit të posacëm për reformën zgjedhore, demokrates Rudina Hajdari dhe socialistit Damian Gjiknuri. Të tre ftonin partitë parlamentare e ato jo parlamentare të opozitës për një tryezë për reformën zgjedhore të mërkurën e 25 shtatorit.

Mediat ishin informuar para se Lulzim Basha ta kishte parë atë ftesë.

Tempizmi është një tjetër taktikë efikase në politikë dhe Edi Rama e njeh shumë mirë. Pa i lënë shumë kohë, i bëri edhe vetë Bashës një ftesë publike për reformën zgjedhore. Ndryshe nga letrat virtuale që para 30 qershorit ia drejtonte vetëm Lulzim Bashës, këtë herë, ftesa e tij ishte edhe për aleatët e tjerë opozitarë, që nuk është secret, se nuk janë të gjithë në një mendje me Bashën. Kryeministri u njihte peshën në jetën politike dhe shprehte gatishmërinë për t’i takuar kudo e pa kushte, për të diskutuar për reformën zgjedhore.

Por edhe njohja me dy ftesat, Lulzim Basha nuk ndryshoi qëndrimin e njohur. Si për letrat e mëparshme, e konsideroi të pasinqertë ftesën e Kryeministrit, e tha se nuk kishte ndërmend të ulej me Edi Ramën.

Pikërisht identifikimi i Gjiknurit si pengesë, ishte argumenti i dobët, të cilën e shfrytëzoi menjëherë mazhoranca.

Çka bëri që PD të specifikonte pozicionin.

Në fakt edhe reforma zgjedhore, edhe hetimi i akuzave për shitblerje votash, me dosjet 339 e 184 u shfaqën të përfshira mes 9 kushteve, që kishte renditur grupimi parlamentar i kancelares Merkel në Bundestagun gjerman, për të dhënë një PO për hapjen e negociatave. Në këtë listë të kushteve të CDU/CSU që zbuloi Dëelle, zgjedhjet shfaqen në të njëjtin nivel rëndësie me reformën në drejtësi.

Madje për ta parë situatën nga afër në Tiranë ishte javën politike që lamë pas sekretari shtetit gjerman për drejtësinë Kristjan Lange. Për 3 ditë me rradhë takoi disa aktorë politikë e institucionale, Metën, Ramën, Ruçin, Ballën e drejtues të institucioneve të drejtësisë. Qëllimin e saktësoi ambasada gjermane.

Pak orë pas publikimit të kushteve të CDU/CSU, kancelarja Merkel konfirmonte se në Gjermani fjala e fundit i takon Bundestagut, edhe pse qeveria e saj kishte dhënë rekomandim pozitiv, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e veriut

Koha të cilës i referohet kancelarja është 27 shtatori, edhe pse sipas ka një dakordësi në Bundestag që negociatat për Maqedoninë e Veriut të hapen në janar. Dakordësia për dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut u reflektua nga vizita e fundit në Shkup e Tiranë, e presidentit të këshillit Europian Tusk, në ditët e fundit të mandatit të tij. Dihet pesha dhe qëndrimi i Francës kundër zgjerimit, por kjo nuk e pengoi z.Tusk që në Shkup, krahas Kryeministrit Zaev, ta shprehte optimizmin për Maqedoninë e Veriut.

Mungesa e një sigurie të ngjashme në Tiranë u kompensua nga Kryeministri Rama që i dha medaljen e mirënjohjes.

PO-ja me kushte e CDU/CSU, vjen pa dyshim edhe si rezultat i lobimit të PD. Basha u rezervua ta komentonte, duke i dhënë kështu mundësinë e heshtjes, edhe vetë Kryeministrit. Pas takimit të radhës me aleatët në selinë blu, asgjë e re nuk doli nga kampi opozitar.

Burime nga ai takim flasin për një ndarje mendimesh për t’u ulur ose jo në tryezën e reformës zgjedhore, e në fund dominoi qëndrimi se më parë duhet zgjidhur kriza politike në vend e prandaj opozita po përgatit platformën e saj. Në atë tryezë, mësohet se Lulzim Basha është shprehur se nuk ulet në asnjë tryezë me Ramën për reformën zgjedhore, e as opozita nuk do e bëjë. Republikani Fatmir Mediu nuk e fsheh prej kohësh mendimin ndryshe.

Ndërsa Dashamir Shehi i LZHK, edhe pse duket më pranë refuzimit të Bashës, thotë se kushtet gjermane mund të vihen në tryezë në emër të opozitës.

Madje Dashamir Shehi thotë se opozita duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme

Për zgjedhje të parakohshme mendon edhe Astrit Patozi, madje thotë se kjo do ta bashkonte me PD

Teksa Basha e aleatët e vet, ende nuk e kanë formalizuar përgjigjen e ftesës për atë tryezë, nga SHBA, erdhi kujtesa se pritshmëria më e afërt është dialogu, e tryeza e reformës zgjedhore, e mundëson këtë.

Sprova për zgjidhjen e krizës vijon të mbetet mes mazhorancës e opozitës jo parlamentare. Kjo u testua edhe të enjten e javës politike që lamë pas, kur Rama, pa qenë në seancë, njëlloj si një javë më herët, provoi se ka një shumicë cilësuar, me rrëzimin e dy dekreteve të fundit të Metës, shumica që i duhet edhe për ndryshime në kodin zgjedhor.

Nga ana tjetër, impenjimi i demokratëve ishte në sqarimin e opinionit se nuk ka një dialog të fshehtë me Ramën,  çka u konfirmua edhe nga PS.

Por aleatët e Bashës po shfaqen më aktivë. Me iniciativë të Fatmir Mediut prej kohësh po përgatisin një platformë, e pasi morën dakordësinë për të nga Basha, unifikuan qëndrimet gjatë një darke informale në Durrës e organizuar nga kreu i PAA Agron Duka. Synimi i tyre është jo vetëm dalja nga kriza, por edhe riorganizimi e hapja e partive opozitare për zgjedhje të parakohshme

Natyrisht që kjo platformë opozitare për t’u implementuar, do kërkojë edhe dakordësinë e mazhorancës, çka do thotë se herët a vonë, pavarësisht qëndrimeve publike, palët do duhet të ulen në një tryezë të përbashkët. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!