Rikthimi i maturantëve, Shahini sqaron disa prej rregullave kryesore që do të ndiqen

schedule20:34 - 12 Maj, 2020

schedule 20:34 - 12 Maj, 2020

Nëpërmjet një video-mesazhi drejtuar maturantëve që do të rikthehen në bankat e shkollës më datë 18 maj, Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka përcjellë edhe disa prej rregullave kryesore që duhet të ndiqen gjatë qëndrimit në shkollë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Rregulli i parë, sipas Shahinit, është vendosja e maskës para shkollës dhe rreshtimi në distancë 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë.

Shahini shprehet:

“Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkollë, keni në bankat e shkollës nga një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës.”

Ministrja u shpreh gjithashtu se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë.

Ministrja Shahini thekson gjithashtu edhe rregullin kryesor për parandalimin e përhapjes së viruseve, i cili është larja e shpeshtë e duarve.

Në lidhje me këtë, Shahini shprehet se “para tualeteve të shkollës janë vendosur postera me hapat që duhet të ndiqen për një larje të thellë dhe të mirë të duarve.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!