Esiona Konomi
Vendimi i qeverisë për të rikthyer kazinotë në kryeqytet, nuk u publikua në faqen zyrtare të kryeministrisë, por ai u botua disa ditë më vonë në Fletoren Zyrtare.
Për këtë vendim, shumica e deputetëve socialistë nuk kanë informacion dhe i shmangen pyetjes.
“Ditën e hënë filloj mbledhjen e Komisionit të ligjeve dhe mbarë e mirë na shkoftë të gjithëve”, thotë Ulsi Manja.
Ermonela Felaj ndërron rrugë për të mos u përballur me pyetjen, ndërsa deputeti Ardit Konomi i ka marrë detajet në radio teksa vinte prej Korce.
“Kam dëgjuar vetëm pak në mëngjes rrugës në makinë, me këtë rikthim të pjesshëm jam dakord”, thotë Konomi.
Dritan Bici, i anëtarësuar në PS e sheh vendimin vetëm nga pikëpamja personale.
“Nuk i kam patur qejf asnjëherë dhe nuk mund të japë dot mendim sepse duke qenë as në rolin e lojtarit as në rolin e vuajtësit të këtyre gjërave skam çfarë të them. Nuk jam në dijeni të rikthimit të tyre”, thotë Bici.
I vetmi mes socialistëve që e ka një argument mbështetës për vendimin e qeverisë, është Ervin Bushati.
“Ne kemi marrë një iniciativë shumë të mirë përpara disa vitesh dhe kemi prop0ozuar një ligj e cila ka larguar të gjithë lojërat e fatit të cilat ishin kthyer në problem të shoqërisë shqiptare. Ligji është shumë i mirë. Ne nuk mund të mohojmë realitetin dhe kanë nevojë për të ndihmuar ekonominë dhe turizmin, sic e kanë edhe vendet e tjera dhe është e parashikuar në ligj që mund të kemi kazino. Nuk jam inxhinier apo urbanist që të flas më tej”, u shpreh deputeti.
Një pjesë e deputetëve opozitarë nuk duan të përzihen në këtë çështje.
Disa nga opozitarët e lidhin vendimin me interesa klienteliste dhe elektorale.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur kazinotë u mor dy vjet më parë./abcnews.al