Rikthimi i Ermonela Jahos/ Sopranoja: Opera shqiptare të kthehet në atraksion kulturor, skena për mua është një udhëtim shpirtëror

schedule20:04 - 3 Tetor, 2023

schedule 20:04 - 3 Tetor, 2023

Artistja shqiptare, Ermonela Jaho aktualisht po korr sukses në skenën e operas së Zyrihut me veprën e Puccinit, La rondine por gjithnjë ajo gjen kohë për të kontribuuar në shtëpinë e saj, në operën shqiptare.

E gëzon fakti që kësaj here është përthithur energjia pozitive në në masterclass, ku marrin pjesë 22 artistë të rinj, pjesëmarrës dhe 17 të tjerë dëgjues, me një gjeografi të shtrirë nga Shqipëria, Parisi, Serbia, Prizreni, Verona, Prishtina dhe Ulqini. Synimi i saj është i qartë.

“Besoj tek ajo që bëj. Nuk kam pritshmëri. Pritshmëria ime personale është zero. Nuk marrë asgjë. Unë vij me sytë e një studenti që ka nevojë që të jetë i vlerësuar kur e sheh që po punon dhe përpiqet, dhe t’i jepet informacioni sidomos prej ne artistëve që jemi në skenë. Beteja e luftës kur je në skenë është komplet ndryshe. Po punojmë shumë sepse nuk janë vetëm shqiptarë. kjo më ngroh, sepse duhet të bëhet një atraksion kulturor edhe për botën, jo thjesht turistik.“, theksoi ajo.

Masterclassi zhvillohet deri më 5 tetor dhe ofrohet totalisht pa pagesë. Pjesëmarrësit pajisen me një certifikatë. Ata do të mësojnë mbi teknikën fizike të këndimit, interpretimit, përgatitjes psikologjike të repertorit si dhe ndërtimit të një roli. Jaho thotë se zërat shqiptarë janë unik për këtë arsye:

“Jemi ballkanas. Kemi shpirtin e tragjedisë, të dramës e kemi në gen. Ta shfrytëzojmë në anën e mirë më bëhet qejfi kur lexoj kritika të mira. Ana pozitive na jep energji të mirë. Për mua, kur ngjitem në skenë, nuk mendoj thjesht rolin, duhet të jetë një eksperiencë dhe një rrugëtim shpirtëror. E ka kaluar efektin e performancës së bukur dhe të mirë. Duhet të jetë diçka më e thellë, të shkojë në dimension tjetër“, theksoi ajo.

Por qëllimi kryesor në rrugën e artit padyshim, që sipas saj, mbetet ndjenja.

“Cilësia e zërave janë fantastik. Janë shumë të bukur, sepse kemi çfarë themi. Jemi shpirtra të torturuar. Kemi histori, dhe kjo përkthehet në mënyrën se si e interpreton. Arti pa ndjenjë nuk bëhet.“, shtoi ajo.

Skena për Jahon është një udhëtim shpirtëror, të cilin premton se do ta ndajë së shpejti në një produksion operistik me artistët e rinj të skenës shqiptare. Megjithëse kritika e ka cilësuar rolin e saj në Zyrih mjaft pozitivisht duke e cilësuar si një nga zërat më të rëndësishëm të kohëve të fundit, ajo sërish punon fort për çdo dalje skenike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!