PSG kreu një përmbysje të çmendur ndaj Atalantës, shënoi dy herë në minutat 90′ dhe 90+3′, fitoi 2-1 dhe siguroi një kualifikim emocionues në gjysmëfinalet e Champions League.
Kohë për festë dhe pushim nuk ka, teksa të martën në mbrëmje është radha për t’u përballur me një tjetër surprizë, Leipzigun e Nagelsmann. Të dy skuadrat do të tentojnë kalimin në finalen e madhe, aty ku nuk kanë luajtur kurrë më parë.
Kylian Mbappe u fut në fushë në minutën e 60-të në sfidën ndaj rivalëve italianë dhe ndihmoi ekipin e tij të realizonte përmbysjen e madhe. Ylli i sulmit ka lënë pas krahëve problemet në kavilje dhe nuk ka ndjerë dhimbje sipas raportimeve të RMC Sport.
21-vjeçari është kthyer të punojë me grupin në stërvitje dhe e ka kryer të plotë seancën e fundit. Të martën do zbresë në fushë si titullar, teksa trajneri Thomas Tuchel i gëzohet një tjetër rikthimi të rëndësishëm.
Angel Di Maria ka shlyer pezullimin dhe është gati për duelin ndaj Leipzig. Shqetësimi kryesor mbetet Marco Verratti. Mesfushori italian po bën maksimumin për t’u rikuperuar, por prania në ndeshjen e së martës është e vështirë.
I pasigurt është edhe aktivizimi i Keylor Navas. Portieri u detyrua të linte ndeshjen para kohe ndaj Atalantës dhe të shtunën do të kryeje disa kontrolle të specializuara, që do të qartësojnë nëse mund të luajë apo jo në 1/2 finale. /abcnews.al