Kush mund ta ketë harruar këtë moment. Stadiumi legjendar “Uembli” i Londrës, ish-stadiumi perandorak britanik, ka parë shumë yje të futbollit, por dikë që të bëjë një veprim të tillë as nuk e kishte përjetuar më parë, dhe as nuk ka pasur fatin që t’i përsëritet.
Pritja e akrepit e portierit legjendar kolumbian, Rene Higita, ka mbetur e shkruar fort në histori.
Ndoshta askush nuk e kishte menduar se gardiani amerikanolatin mund ta përsëriste veprimin thuajse identik, por ai vetë mezi kishte pritur.
Edhe pse në moshën 59-vjeçare, edhe pse rëndshëm mbi peshë, sërish Rene Higita u rikthye, ndonëse jo në një ndeshje në “Uembli” ndaj Anglisë shpikëse të futbollit, por në një spektakël miqësor për t’i dhënë lamtumirën sportive ish-kapitenit të famshëm të Kolumbisë, Mario Alberto Jepes.
Ndeshja u luajt në qytetin kolumbian të Kalit, dhe Higita, dhe në përbërje të dy ekipeve të krijuara për qejf, ishin emra të tillë si Valderrama, Trezege, Saviola, Falkao apo Asprilja.
Higita bëri disa pritje, ndonëse ndeshja përfundoi 5-5, siç I takonte një spektakli për argëtim, dhe në minutën e 30-të përsëriti pritjen e akrepit.
Kuptohet, jo aq me finesë dhe reagim akrobatik si në 1995 në “Uembli”, por gjithsesi, një mrekulli për një ish-portier që po hyn në dekadën e gjashtë të jetës./abcnews.al

