Rikthehet në vëmendje grupi i “Kokaina”, kush janë “2 kokat” që duhet të deklarojnë pasurinë brenda 48 orëve

schedule13:56 - 24 Shkurt, 2020

schedule 13:56 - 24 Shkurt, 2020

OFL ka kërkuar justifikimin e pasurisë së 2 personave, Aleko Durdës dhe Arben Bërballës. Të dy emrat që komunikoi sot OFL janë të njohur për organet e drejtësisë.

Aleko Durda e Arben Bërballa, kanë qenë të dënuar për armëmbajtje pa leje, falsifikim vizash, krijim i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, gjithashtu dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Ata janë anëtarë të grupi të quajtur “Kokaina” e cila shkaktoi bujë në media në vitin 2001.

Të arrestuarit e dosjes “Kokaina” ishin të akuzuar për organizimin e trafikut të narkotikeve dhe kokainës, nga Kolumbia në Shqipëri në vitin 2001, krijim të organizatave kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje.

Këto akuza dërguan në burg edhe ish-shefin e policisë, Sokol Koçiu, së bashku me pesë persona të tjerë, në vitin 2001.

Pesë pjesëtaret e grupit “Kokaina” ishin: Arben Perballa me 15 vjet, Sokol Kociu me 15 vjet, Mentor Hadergjonaj me 7 vjet burg , Vehbi Hysi me 5.5 vjet, ndërsa Alfred Nanaj, me 6 vjet burg.

Grupi “Kokaina” është i vetmi grup i shkatërruar i trafikut të kokainës, e më tej edhe i dënuar.

Durda kishte njohje të vjetra me Bërballën, njohje të cilat kanë lindur mbi bazën e një lidhjeje familjare, por që më pas u konsolidua mes tyre edhe nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bërballa dhe shefi i Policisë, Sokol Koçiu ishin takuar më herët në Mirditë ku kishin punuar në sektorë të ndryshëm.

Provat e fajësisë:

Prokuroria në atë kohë paraqiti në Gjykatën e Tiranës një sërë provash për të vërtetuar fajësinë e personave të marrë si të pandehur.

1-Procesverbali i kontrollit të banesës si dhe kontrolli personal i të pandehurit Durda, në 2 shkurt të vitit 2001, së bashku me të gjitha provat materialet që janë gjendur e sekuestruar gjatë këtij kontrolli, (paratë, arma, dokumentacioni, blloku i telefonave).

2-Procesverbali i kontrollit të banesës dhe ai personal i të pandehurit Arben Bërballa, bërë në datën 2 shkurt 2001, së bashku me provat materiale e gjetura e të sekuestruara gjatë këtij kontrolli (dokumentacioni fals)

3-Procesverbali i kontrollit të autoveturës me targa TR 0951 C, që i përket shtetasit Frederik Durda, së bashku me provat materiale të gjetura në këtë automjet

4-Procesverbalet e sekuestrimit dhe këqyrjes së motoskafit së bashku me tabelat fotografike

5-Procesverbalet e sekuestrimit të praktikave të pasaportave ndërkombëtare

6-Akt ekspertimi balistik nr.35, të datës 3 shtator 2001

7-Letër-Porositë për jashtë shtetit

8-Përgjimet e bisedave të zhvilluara nga të pandehurit si dhe prova të tjera shkresore të administruara në dosjen e hapur në vitin 2001.

Procesi ndaj tyre ka qenë shumë i bujshëm për vetë faktin se bëhej fjalë për një drejtues i lartë i policisë siç ishte Sokol Koçiu asokohe, ishte i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!