Franck Ribery po zbulon çdo ditë e më shumë Firencen dhe futbollin italian. 36-vjeçari ka rritur entuziazmin te tifozët e Fiorentinës, për të cilët është një idhull dhe frymëzim.
Anësori ofensiv ka dhënë një prononcim interesant për kanalin në Youtube të Ligës së futbollit italian. Ribery analizon Serie A, pëlqen shumë trajnerin Montella dhe e mbyll me objektivin kryesor që ka.
RIBERY – “Kam luajtur gjithmonë në krahun e majtë, ndërsa tani po aktivizohem më shumë në qendër. Jam një sulmues mbështetës, detyra ime ka të bëjë me marrjen e topit dhe driblimin e kundërshtarit. Ky është stili im i lojës”.
SERIE A – “Është një kampionat i mirë, ka skuadra të mëdha. Italianët kanë një kulturë ndryshe, por e adhurojnë futbollin. Puna ka rëndësi të madhe për mua. Kam realizuar ëndrrën time për t’u bërë një futbollist profesionist. Jam zbavitur shumë dhe mendoj vetëm për të luajtur e për t’i respektuar të gjithë. Në verë humba fazën përgatitore dhe u stërvita shumë vetëm”.
GENOA – “Ndeshja me Genoan ishte më e vështira dhe nuk luajtëm mirë. Kur u ktheva në Firence, nuk shkova në shtëpi. U nisa drejt qendrës stërvitore dhe vazhdova të stërvitem i vetëm”.
SAN SIRO – “Zhvilluam një ndeshje të madhe kundër Milanit. ‘San Siro’ është një vend special për të luajtur futboll. Ishte një moment emocionues marrja e duartrokitjeve nga tifozët kundërshtarë”.
FIORENTINA – “Ky klub ka histori, këtu kanë luajtur futbollistë dhe njerëz të mëdhenj. Batistuta, Baggio dhe Toni, mbi të gjithë. Drejtuesit kanë besuar gjithmonë tek unë. Montella është i ri, por i qëndron gjithmonë afër lojtarëve. Më pëlqen shumë”.
OBJEKTIVI – “Shpresoj të kalojmë momente të bukura me tifozët. Ata jetojnë për futbollin, shpresoj t’iu dhuroj emocione të mëdha”. /abcnews.al