Franck Ribery i dha fund karrierës 12-vjeçare me Bayern Munchen dhe zgjodhi të vijonte karrierën te Fiorentina. Ardhja e tij i ka lumturuar të gjithë dhe francezi është kthyer shumë shpejt në idhullin e tifozëve viola.
36 vitet mbi supe nuk dallohen fare në fushën e blertë, aty ku Ribery po dhuron asiste dhe po shënon. Së fundmi u shpall lojtari më i mirë i muajit shtator në Serie A, ndërsa tifozët e Milanit i dhuruan një “standing ovation” në ndeshjen e zhvilluar në San Siro.
Ribery ka dhënë një prononcim interesant për Corriere della Sera. Anësori ofensiv po shijon Firencen dhe Italinë, po zbavitet shumë, teksa zbulon prapaskenat e transferimit te Fiorentina.
FIORENTINA – “Kur pranova ofertën e Fiorentinës, nuk ma merrte mendja se do të ishte një dashuri me shikim të parë. Ashtu ndodhi, madje që në momentin e prezantimit tim. Ajo ishte një mbrëmje speciale që nuk do e harroj kurrë. Kisha edhe oferta të tjera nga Anglia dhe Italia, por pati një shkëndijë të menjëhershme me drejtuesit e Fiorentinës.
Bisedat me Baronen, Praden dhe Montellën më mbushën me besim dhe ngrohtësi. Wahiba, gruaja ime, nuk u zgjat shumë dhe më tha: ‘Nisemi për Firence’. Tani jam këtu dhe ndihem shumë i lumtur. Më shërbyen edhe fjalët e Luca Tonit. Jemi miq të mirë bashkë. Ai më foli për Firencen, më shpjegoi dinamikën e klubit dhe pasionin e tifozëve.”
VERA – “Kalova një verë të vështirë. Nuk më kishte ndodhur të stërvitesha vetëm, ishte një ndjesi e shëmtuar. Futbolli është gëzim. Ka një ndryshim të madh midis përgatitjes me shokët e ekipit dhe asaj me një trajner personal.”
KRAHASIMI – “Firence më kujton Marsejën. Mentaliteti i tifozëve është i njëjtë, janë të zjarrtë dhe pasionantë. Njerëzit këtu jetojnë për futbollin dhe diçka e tillë më shtyn të jap shpirtin për ekipin. Ne nuk jemi asgjë pa ata. Fiorentina është një skuadër e madhe, me një histori të madhe. Jemi një familje e bukur.”
SERIE A – “Kam luajtur 12 vite në Gjermani dhe aty vrapohet pafund deri në minutën e fundit. Këtu punohet më shumë me taktikën dhe ka shumë strategji, njësoj si në Francë. Më pëlqen, pasi mund të provoj diçka të re. Serie A është një kampionat i bukur dhe shumë i ndjekur. Juventusi dhe Interi janë skuadra të forta dhe Napoli është rritur me kalimin e kohës. Më pëlqejnë shumë edhe Lazio me Romën.” /abcnews.al