Rezultatet paraprake të votimeve në Moldavi, Sandu në epërsi – “jo” kushtetutës pro BE

schedule07:16 - 21 Tetor, 2024

schedule 07:16 - 21 Tetor, 2024

Sipas rezultateve paraprake të votimeve në Moldavi, mbi 50 për qind votuan “jo” në referendumin e së dielës mbi aspiratat moldave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Presidentja Maia Sandu kryeson përballë rivalëve të saj në zgjedhjet presidenciale.

Me mbi 90 për qind të votave të numëruara, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zonja Sandu ka fituar rreth 39 për qind të votave e pasuar nga Alexandr Stolianoglo, 57, një ish prokuror i përgjithshëm i mbështetur nga Partia pro ruse e Socialistëve i cili ka fituar rreth 28 për qind të votave.

Me mbi 90 për qind të votave të numëruara të referendumit deri në orën 2 të mëngjesit sipas kohës lokale, “Jo” kanë votuar 53 për qind, sipas të dhënave në faqen e internetit të Komisionit të Zgjedhjeve.

Nëse vota “Jo” mbetet përfundimtare, kjo do të ishte një befasi e madhe meqë disa nga anketat e fundit thanë se 63 për qind e votuesve do të mbështesnin përfshirjen e procesit të integrimit evropian në kushtetutën e Moldavisë.

Mes pretendimeve të përhapura se Moska ka intensifikuar një fushatë të “luftës hibride” për të destabilizuar vendin dhe për të dëmtuar rrugën e tij drejt BE-së, Presidentja pro evropiane Maia Sandu tha të dielën në mbrëmje se Moldavia është përballur me një “sulm të pashembullt ” ndaj demokracisë së saj. Ajo akuzoi “grupet kriminale” të mbështetura nga “forcat e huaja” për përdorimin e parave, gënjeshtrave dhe propagandës për të ndryshuar votën.
Zonja Sandu tha se qeveria e saj ka “prova të qarta” se ishin blerë 300,000 vota, duke e cilësuar këtë “një mashtrim në shkallë të pashembullt”.

Kremlini ka mohuar me vendosmëri pretendimet për blerje votash.

Sipas rezultateve paraprake, zonja Sandu do të përballet ne balotazh me kandidatin Stoianoglo, me 3 nëntor.

Moldavia ka lëvizur mes orientimit të saj pro-perëndimore dhe pro-rus që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Marrëdhëniet me Moskën janë përkeqësuar nën udhëheqjen e zonjës Sandu. Qeveria e saj e ka dënuar agresionin rus të Ukrainës, ka akuzuar Rusinë për komplot për përmbysjen e saj dhe ka diversifikuar furnizimin me energji pasi Rusia shkurtoi furnizimet me gaz.

Ish-republika sovjetike paraqiti kërkesën për t’u anëtarësuar në BE pas agresionit të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe mori statusin e vendit kandidatit verën e atij viti, së bashku me Ukrainën. Në qershor Brukseli ra dakord për të nisur negociatat e anëtarësimit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!