Rezoluta e VMRO-DPMNE-së për bisedimet me Bullgarinë

schedule08:18 - 8 Korrik, 2021

schedule 08:18 - 8 Korrik, 2021

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, ka publikuar tekstin e rezolutës, të cilën kërkon ta miratojë Kuvendi i Maqedonisë së Veriut (RMV), sipas shembullit të Bullgarisë. Në tekstin e hartuar VMRO-DPMNE-ja kërkon që “negociatat me Bullgarinë të zhvillohen në pozita të barabarta, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare,pa asnjë kusht nga njëra palë ose nga tjetra dhe me respektimin e dinjitetit të popullit maqedonas”.

VMRO-DPMNE deri të premten (09.07) do të dorëzojë në Kuvend Rezolutën për vijat e kuqe që duhet të ketë vendi në negociatat me Bullgarinë. Deputeti i kësaj partie, Timço Mucunski, thotë se për Rezolutën nuk duhet të negociohet, pasi ajo është në favor të shpejtimit të perspektivës evropiane dhe forcimit të sovranitetit shtetëror dhe nacional të Maqedonisë së Veriut.

“Nuk ka çfarë të negociohet. Mund të diskutohet për ndonjë detaj, për disa çështje më të imëta, por unë nuk besoj se këtu në Kuvend mund të përgatisim diçka më kompetente nga ajo që është përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Shkupit”, thekson Timço Mucunski, deputet i VMRO-DPMNE.

Rezoluta e propozuar është mbështetur edhe nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev edhe pse fillimisht, kjo parti e refuzoi, duke akuzuar krerët e VMRO-DPMNE-së, se përmes rezolutës tentojnë të përfitojnë politikisht, pasi sipas LSDM-së, “çështjet që kanë të bëjnë me identitetin asnjëherë nuk kanë qenë objekt i negociatave”.

Partitë shqiptare skeptike për rezolutën

Partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, e po ashtu edhe ato në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur kundër rezolutës. Ato thonë, se nuk mbështesin asnjë dokument që cënon rrugën drejt BE-së dhe prishjen e raporteve të mira ndërfqinjësore.

Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani ka thënë se qëndrimi i BDI-së është se Rezoluta e VMRO-DPMNE-së konsensusin shtetëror të arritur në lidhje me Bullgarinë rrezikon ta shëndërrojë në çështje etnike, gjë që përbën dëm të madh për shtetin. “Qëndrimi ynë është se ky proces duhet të fillojë nga zeroja, të ulen partitë politike, nëse duhet të miratohet ndonjë rezolutë duhet të jetë prodhim i konsensusit i të gjithëve e jo të imponohet nga një parti politike. Kam frikë se shndërrimi nga pozitë shtetërore në pozitë etnike është një nga dëmet më të mëdha që mund të bëhet”, shprehet Osmani.

Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë, se vendimin përfundimtar për mbështetjen ose jo të Rezolutës së VMRO-DPMNE-së do ta marrin në mbledhjet e radhës të organeve partiake.

Anlistët pro dhe kundër rezolutës

Nikolla Dujoski njohës i çështjeve ndërkombëtare thotë, se askush nuk ka mandat për të negociuar për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, ndaj edhe nuk sheh asgjë të keqe në miratimin e një rezolute të tillë me konsensus të gjerë. “Askush nuk ka mandat që të negociojë për emrin e gjuhës tonë apo për identitetin e maqedonasve, por edhe të gjithë atyre që jetojnë këtu. Askush këtë nuk mund ta bëjë, pasi nuk kanë mandatin për një gjë të tillë, as Zoran Zaevi, as Hristijan Mickoski e as Ali Ahmeti apo kushdo qoftë tjetër.Duam Evropën, por më shumë duam veten tonë”, thotë Dujoski.

Një rezolutë e propozuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja për caktimin e vijave të kuqe me Bullgarinë, mund të bllokojë në pafundësi procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, thotë  Muhamed Halili kryetar i Këshillit të Ambasadorëve.

“Nëse edhe LSDM-ja e përkrah propozimin e VMRO-DPMNE-së, atëherë është e qartë se vështirësohet edhe më tej integrimi evropian i vendit tonë. Është e qartë se shpresat për hapje të negociatave, gjegjësisht të mbajtjes së konferencës ndërqeveritare brenda këtij viti, po shuhen”, thotë Halili./ DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!