Sulmuesi Rezhinaldo tregon problemet që pati në janar te Kukësi. Sulmuesi nga Mozambiku deshi të largohej, dhe u ndje keq që klubi nuk e lejoi.
Në ndeshjen e parë të vitit nuk ishte as në stol. Rezhinaldo mund të jetë shënuesi më i mirë i Kukësit deri tani, por sulmuesi nga Mozambiku mbetet edhe më i diskutuari, dhe më problematiku.
Trajneri Cungu deklaroi pas takimit me Laçin, se Rezhinaldo ishte thjesht I dëmtuar, diçka që padyshim ka qenë e vërtetë, veçse vetë lojtari zbuloi një problem.
Ai hodhi një postim në Instagram ku deklaroi se dëshira e tij kishte qenë për t’u larguar, pas ofertave që pati, por klubi kuksian nuk e lejoi.
“Duhet të respektoja dhe pranoja vendimin e presidentit, – shkruajti më tej Rezhinaldo, – por, kurrë nuk e kam përjetuar një situatë të tillë, dhe kjo më ka turbulluar pak. Gjithsesi, gjithçka është pjesë e së shkuarës dhe do të vijoj të punoj seriozisht për objektivat. Forca Kukësi”.
Rezhinaldo besohet se u kërkua nga Partizani, apo edhe nga ndonjë klub tjetër, por presidenti Gjici vendosi ta mbante me patjetër.
Cungu, ndërkaq, e ka paralajmëruar që të tregohet profesionist dhe të jetë në shërbim të ekipit, pasi nuk do të ngurrojë të marrë vendimet e duhura.
Vetë trajneri, pas kthimit nga faza përgatitore në Turqi, pranoi se Rezhinaldo I kërkoi që të luante si titullar, diçka që ai nuk mund t’ia garantonte.
Për momentin, sulmuesi duket zgjedhje e dytë e nënkampionëve, ndërsa si titullar, edhe ndaj Flamurtarit, u aktivizua Shkurtaj. /abcnews.al