Rezervuari i Rrogozhinës nuk ka portë, rrezikohet vaditja në verë

schedule13:59 - 24 Janar, 2019

schedule 13:59 - 24 Janar, 2019

10 fshatra të Rrogozhinës rrezikojnë të mbeten pa ujë për vaditje gjatë sezonit të verës. Rezervuari i Okshtunit, që i ka furnizuar prej vitesh, nuk ka portë dhe për pasojë i gjithë uji po derdhet nëpër kanalet dhe përrenjtë e zonës.

Ky rezervuar është ndërtuar që në kohën e komunizmit. U ka shërbyer prej vitesh banorëve të 10 fshatrave në Rrogozhinë. Por prej pak kohësh porta e tij është zhdukur. Banorët japin versione të ndryshme për fatin e saj.

Për pasojë të gjithë ujërat e sezonit dimëror në vend që të grumbullohen për t’u përdorur në sezonin e verës po derdhen nëpër kanale dhe përrenjtë e zonës. Ndaj banorët kërkojnë vendosjen e portës, e cila ndalon rrjedhjen e pakontrolluar.

Rezervuari i Okshtunit ka një sipërfaqe prej 85 ha dhe vadit mbi 4 mijë ha toke bujqësore. Burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e zonës është sektori bujqësor.

Tokat janë të mbjella me vreshta, pemë frutore dhe sera, zhvillimi i të cilave varet nga vaditja. /abcnews.al

Gazetare e ABC News: Anila Sefa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!